Shqipëria

Basha: Koha na dha të drejtë, Rama kreu masakër zgjedhore


Ish-lideri i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka reaguar sërish në lidhje me vendimin e Departamentit Amerikan të Thesarit për sanksionimin e ish-deputetit Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi.

“Koha na dha prapë të drejtë! Aqif Rakipi, Tom Doshi, Vangjush Dako janë bedelët, me të cilët Edi Rama kreu masakrën zgjedhore dhe tjetërsoi vullnetin e shqiptarëve që kërkonin ndryshim”, shkruan Basha.

Bashkëngjitur, ai ka cituar arsyet për sanksionet ndaj Aqif Rakipit.

“Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”.

Për Bashën, ky paragraf tregon se si i “fitoi” zgjedhjet Edi Rama në 2017-ën dhe në 2021-shin.

Ai shton se kriza, në të cilën ndodhet sot Shqipëria, është pasojë e “shkatërrimit të institucioneve demokratike dhe të procesit zgjedhor, që dje u konfirmua edhe nëpërmjet sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Për ish-liderin demokratik, kjo duhet të ishte bërë nga organet ligjzbatuese shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore