Lajme

Basha, Cramon-it pasi i qortoi policët: Këso sjellje s’kanë vend në Republikën e Albin Kurtit


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka reaguar pasi Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, i ka qortuar policët e Kosovës për prezencën e tyre në Veri.

“S’po mundem të besoj çka pashë. Në lajme qendrore kish dal Viola Von Cramon, një deputete e BE-së, duke ofenduar policët tanë në krye të detyrës në veri. U sillte si me qenë komandante supreme. Për besë ne mundemi me qenë të varfër, por nuk ndjehemi aspak inferior dhe kemi policinë me shumë dinjitet. Këso sjellje s’kanë vend në Republikën e Albin Kurtit, sepse nuk lejohet askush t’i ofendoj policinë në kryerje të detyrave”, shkroi ai në Facebook.

Ai ka thënë se është i befasuar se si e ka gjetur guximin Cramon “të sillet si kauboj në vend të huaj”.

“Ky është një mentalitet imperialist dhe i turpshëm. Paramendonte një deputet të BE-së duke ofenduar policinë gjermane”.

Ndryshe, në një bashkëbisedim te çuditshëm, Cramon, iu ka kërkuar llogari policëve të Kosovës për prezencën e tyre në Veri.

“Çka dreqi iu solli këtu?”, pyeti ajo policët.

“Pse, ku është kërcënimi?”, vazhdoi politikania gjermane dhe kërkoi përgjigje në adresë të gabuar.

Me vonë, ajo megjithatë u shpreh se e kupton fare mirë se nuk i takon policisë të vendos për këto lloj aksione, por është niveli politik që cakton urdhrat.

“Nuk ju fajësoj, mos më keqkuptoni. Nuk ju takon juve të vendosni se ku do të punoni”, tha Von Cramon, duke shtuar se e di që “pyetjet duhet t’i bëj në Prishtinë”.

Edhe shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, të njohur ndryshe si QUINT, kanë reaguar për situatën e krijuar në Veri të Kosovës, duke e dënuar vendimin e institucioneve për të hyrjen me forcë në ndërtesat komunale në Veri.

“Në këtë kontekst, QUINT-i dhe BE-ja presin që autoritetet e Qeverisë së Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për hyrje me forcë në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Kryetarët e zgjedhur duhet gjithashtu të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të demonstruar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar dhe shërbyer të gjithë anëtarët e komuniteteve të tyre”, thuhet në reagim.

Pse i qortoi Von Cramon policët e Kosovës?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore