Sport

Barcelona pritet ta “rrëmbejë” tjetër futbollist të rëndësishëm të Chelsea-t


Chelsea dhe Barcelona janë përballur disa herë në afatin kalimtar të verës, derisa pritet që edhe në këtë vit të zhvillohet një betejë mes tyre.

Bëhet fjalë për mesfushorin e londinezëve, Jorginho-n, i cili kryesonte në listën e dëshirave të Barcelonës në verën e kaluar dhe përsëri vazhdon të jetë një nga më të dëshiruarit për katalunasit.

Mesfushorit 30-vjeçar i mbaron kontrata me Chelsea-n në verën e vitit të ardhshëm dhe duket se ai dëshiron ta provojë një eksperiencë të re në La Liga.

Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, agjenti i brazilianit, Joao Santos, është parë gjatë ditës së diele në Barcelonë.

Mesfushori aktual i Barçës, Sergi Busquets, pritet t’i thotë lamtumirë katalansave në fund të sezonit, andaj me shumë gjasë Jorginho pritet të jetë zëvendësuesi i tij.

Kujtojmë që Jorginho është pjesë e bluve të Londrës që nga vera e vitit 2018, kur u transferua nga Napoli për shumën e 57 milionë eurove.

Gjatë kohës sa ishte në Chelsea, Jorginho u kurorëzua me çmimin e lojtarit më të mirë të vitit 2021 nga UEFA.

Gjatë kësaj kohe me fanellën e Chelsea-t, mesfushori italiano-brazilian ka luajtur në 199 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave ka shënuar 27 gola dhe ka dhuruar nëntë asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore