Sport

Barcelona nuk arrin të shënojë për herë të parë në tre muajt e fundit


Një nga tiparet përcaktuese të Barcelonës nën drejtimin e Xavi Hernandez ka qenë pamëshirshmëria e tyre para portës.

Blaugranët kishin shënuar në 16 ndeshje radhazi para ndeshjes së parë të 1/8-tës së Europa League-s, kundër Galatasaray të enjten në mbrëmje.

Megjithatë, me gjithë përpjekjet e tyre, ata u frustruan përfundimisht nga mbrojtja kokëfortë e palës turke dhe shfaqja madhështore e Inaki Penës në portë.

Hera e fundit që Barcelona nuk kishte arritur të shënonte ishte më 8 dhjetor, pasi humbi 3-0 nga Bayern Munich në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Champions League.

Shkathtësia e tyre në shënimin e golave ​​ka qenë e qartë që atëherë, dhe në katër ndeshjet e tyre të fundit ata kanë shënuar 14 gola, pasi kanë gjetur rrjetën katër herë kundër secilit prej Valencia-s, Napoli-t dhe Athletico Bilbao-s.

Në kohën e plotë, qendërmbrojtësi i Barcelonës, Eric Garcia deklaroi se skuadra e tij do të përpiqet t’i rregullojë gjërat në ndeshjen e dytë në Turqi të enjten e ardhshme.

“Vendimmarrja jonë nuk ishte aq e mirë sa ka qenë kohët e fundit”, tha ai.

“Ne do të shkojmë atje për të dhënë gjithçka dhe do të mësojmë nga ndeshja e sotme”.

“Ne duhet të shkojmë në çdo ndeshje 100 për qind. Ndonjëherë, kur je në një ecuri kaq të mirë, mendon se mund të fitosh lehtësisht”.

Kujtojmë se Memphis Depay pati dy raste të mëdha për të hapur rezultatin në pjesën e parë, por Inaki Pena bëri dy pritje të shkëlqyera.

Frenkie de Jong realizoi një goditje e cila u kthye jashtë shtyllës. Ferran Torres, Pierre-Emerick Aubameyang, Pedri, Adama Traore, Sergio Busquets, Luuk de Jong, Jordi Alba dhe Ousmane Dembele, të gjithë provuan fatin e tyre, por nuk arritën të shënonin.

Barcelona kishte 68 për qind të zotërimit të topit dhe 15 goditje, katër prej të cilave ishin në portë. Galatasaray pati tre goditje, njëra prej të cilave ishte shumë afër golit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore