Lajme

Barbano dhe Abbott vizitojnë Manastirin e Deçanit


Giovanni Pietro Barbano, Nicholas Abbott dhe Sava Janjiç

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian (BE) për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, ka njoftuar nëpërmjet një postimi në platformën “X” se të dielën, së bashku me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, Nicholas Abbott, ka takuar Igumenin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiç.

“Takimi pozitiv me Abbott dhe Sava në Manastirin e mrekullueshëm të Deçanit. Në këto kohë sfiduese, është thelbësore të vazhdohet të forcohet siguria e të gjitha komuniteteve në Kosovë, ku udhëheqësit fetarë mund të luajnë një rol vendimtar në nxitjen e mesazheve dhe marrëdhënieve paqësore ndër-komunale”, ka shkruar Barbano.

Vizita e përbashkët e Barbanos dhe Abbottit vjen në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë ngritur tej mase pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës. Po ashtu, institucionet kosovare të sigurisë kanë konfiskuar një numër armësh në Manastirin e Banjës.

Ndryshe, nga koha kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim në favor të Manastirit të Deçanit, bashkësia e organizuar ndërkombëtare ka bërë vazhdimisht thirrje për zbatimin e tij, duke kërkuar që Manastirit të Deçanit t’i lejohet regjistrimi në kadastër edhe 24 hektarë tokë dhe pyje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore