Film

Barack Obama merr një çmim tjetër në “Emmy” për serinë e tij dokumentare në Netflix


Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, mori sërish një fitore në çmimet “Emmy”, të pestën e tij deri tani.

Ai fitoi një statujë për narracion të shkëlqyeshëm për serinë dokumentare në Netflix, me titullin “Working: What We Do All Day”, shkruan CNN, transmeton AlbanianPost.

Në këtë projekt, ish-Presidenti është gjithashtu një producent, duke bashkëpunuar me gruan e tij, ish-zonjën e parë, Michelle Obama.

Kjo nuk është hera e parë që Obama shpallet fitues i një “Emmy”, ; më herët, në vitin 2022, ai fitoi një çmim të tillë për narracion të shkëlqyeshëm për punën e tij në serinë dokumentare “Our Great National Parks”, e cila gjithashtu transmetohej në Netflix.

Seria “Working: What We Do All Day”, është një seri katërpjesëshe që debuton në maj në Netflix.

Sipas një përshkrimi të Netflix, seria “eksploron mënyrat se si gjejmë kuptim në punën tonë dhe si përvojat tona dhe sfidat na lidhin në nivel njerëzor”.

Në një deklaratë të mëhershme, Obama tha: “Kur sigurojmë që çdo i punësuar ndjen se puna e tyre respektohet, se kontributi i çdo njërit vlerësohet, dhe se çdo i punësuar merr pagesë aq sa të marrë pjesë vërtet në jetën e komuniteteve tona, ne përforcjmë besimin mes nesh që bën të mundur çdo gjë në jetën tonë”.

Inspiruar nga libri i fituesit të çmimit “Pulitzer”, Studs Terkel, “Working” i vitit 1974 – një histori gojore që eksploron punën dhe njerëzit që e bëjnë atë – seria synon të nxisë kuptim dhe vlerësim për punën që bëjnë njerëzit.

Seria është një prodhim i përbashkët mes Concordia Studio dhe Higher Ground, të cilën Obamat themeluan në vitin 2018.

Kompania e tyre ka lansuar mbi 10 tituj filmash dhe televizion, duke përfshirë dokumentarin fitues të Oscar-it në vitin 2020, “American Factory,” si dhe “Leave the World Behind” në muajin e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore