Lajme

Banorët kërkesë MMPHI: Të mos shfuqizohet Plani Rregullues për “Kalabrinë”


Protesta e lagjes "Kalabria".

Me pankarta në duar me mbishkrimet “Mjaftë jemi të dëmtuar, duam drejtësi”, “Jemi qytetarë, trajtona të barabarte”, “Çka do të bëhet me rrugën A”, disa banor të lagjes “Kalabria”, kanë protestuar para ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).

Ata kanë kërkuar nga ministri i kësaj dikasteri që të mos shfuqizohet Plani Rregullues për këtë lagje.

Sipas tyre, shfuqizimi i këtij plani, e pamundëson mbulimin e lumit dhe punimin e rrugës “A”.

Përfaqësuesi i banorëve të lagjes së Kalabrisë, Basri Krasniqi, është shprehur se nga kjo varet edhe kolektori i cili tash e sa vite ka mbetur i bllokuar.

“Kërkojmë nga ministri Aliu mos ta shfuqizojë Planin Rregullativ sepse jemi duke e pritur që 15 vite kemi mbetur të bllokuar. Kërkojmë nga kryetari i komunës Përparim Rama mos ta hedh në votim, është në pyetje kolektori, nuk kemi ndriçim. Qe 15 vite kemi mbetur të bllokuar për një plan të cilën e ka miratuar qeverisja e kaluar e Shpend Ahmetit”.

Protesta e lagjes “Kalabria”.

“Kryetari Përparim Rama po kërkon ta shfuqizojë, kërkojmë nga ministri Aliu të mos e lejojë këtë plan me shfuqizua sepse ne jemi mbet të bllokuar le të mendoj edhe ai për familjet tona, fëmijët tanë në lagjen Kalabria, nuk kemi ndriçim kolektori është mbulua dhe koeficientin e ka bërë 2.4 Shpend Ahmeti në qeverisjen e kaluar, ky zotëria dëshiron ta shfuqizojë të gjithë planin”, tha Krasniqi për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Ndërkaq, ka paralajmëruar protestë edhe para objektit të Komunës së Prishtinës.

Gani Kqiku, 75 vjeçar banor i kësaj lagjeje ka bërë të ditur kontratën që e kanë nënshkruar para 5 viteve për këtë plan dhe se ky plan është aprovuar në muajin nëntor të vitit 2021.

“Ky plan është aprovuar në muajin e 11-të vitin e kaluar ka qenë para 7 viteve, partitë nuk janë pajtuar mes vete se i kanë pasur secila interesat e veta personale për atë. Ne kemi pritur, unë e kam kontratën që e kemi bërë para 5 viteve nuk kanë mundur me zhvillua. Ky qetash nëse e bene një tjetër plan ka me shkua edhe 5-6 vite edhe asgjë nuk bëhet”.

Në anën tjetër edhe banori i lagjes së Kalabrisë, Vedat Ulluri ka thënë se plani mund të korrigjohet nëse ka ndonjë gabim, por jo edhe të shfuqizohet.

“Unë i kisha lut edhe Përparim Ramën edhe ministrin që t’i marrin familjet e veta le të vijnë në oborrin tonë edhe le të shijojnë ambientin se ku jemi duke u rritur. E dina saktë që edhe një 10- 15 vite kjo punë ka me shkua zvarrë. Janë interesat e tyre këta e dinë ku janë interesat, por shumë ma mirë është me korrigjua atë plan nëse ka ndonjë gabim që e kanë gjete, por jo me shfuqizua”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore