Bota

Bangladesh/ Zjarr në një kamp refugjatësh, 15 të vdekur dhe 400 të humbur


Të paktën 15 njerëz janë vrarë dhe 400 të tjerë janë të zhdukur, si pasojë e një zjarri që shpërtheu në një kamp refugjatësh nga Myanmar-i, në Bangladesh. Lajmin e bëri të ditur Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).

“Ishte masiv, ishte shkatërrues”, tha Johannes van der Klaauw, zyrtar i UNHCR-së.

“Ne ende kemi 400 njerëz të pagjetur, ndoshta diku në rrënoja”, tha ai.

Ai shtoi se UNHCR raportoi për 560 persona të plagosur dhe 45 mijë të evakuar.

Zjarri shpërtheu në kampin Balukhali, pranë qytetit juglindor të Cox’s Bazar, të hënën vonë. Flakët dogjën mijëra kasolle, ndërsa njerëzit përpëliteshin për të shpëtuar pronat e tyre.

“Gjithçka është zhdukur. Mijëra persona janë pa shtëpi”, dëshmoi Aman Ullah, një refugjat nga kampi Balukhali.

“Zjarri u vu nën kontroll pas gjashtë orësh, por në disa pjesë të kampit flakët mund të shiheshin gjatë gjithë natës”.

“Shkaku i zjarrit është ende i panjohur”, tha zyrtari i lartë i policisë, Zakir Hossain Khan.

“Autoritetet vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit”.

Më shumë se 1 mijë punonjës të Kryqit të Kuq dhe vullnetarë punuan me shërbimet e zjarrfikësve për të shuar flakët, raporton agjencia mediatike The Guardian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore