Shqipëria

Banesat e rindërtimit dhe Eurobondi i radhës, vijnë në nëntor


Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, në konferencë për shtyp

Mbledhja e fundit e Këshillit të Ministrave ka rezultuar në disa vendime të rëndësishme, ku më të diskutuarit janë shpërndarja e banesave të para të shtëpive pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri dhe emetimi i një Eurobondi të radhës, pasi pritet që Shqipëria do të dalë në tregjet ndërkombëtare po në fillim të nëntorit.

Lajmet i bënë të ditura zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj.

Mbi banesat e rindërtimit do të jenë dy faza, ato të cilat do të përcaktojnë shpërndarjen.

E para, do të jetë ajo për familjet prioritare. Pra, familjet me nevojën më të madhe, do të përfitojnë banesat të parat.

Nga ana tjetër, për familjet e mbetura, skema do të jetë ajo e shortit publik.

Pamje nga banesat e reja të ndërtuara në Laç

“Kjo do të jetë një mënyrë transparente dhe publike për të shpërndarë banesat në familjet përftuese”, theksoi Ahmetaj. “Qytetarët që do të përfitojnë njësi individuale, do të jenë përballë shortit publik, në bazë të numrit të apartamenteve që janë në dispozicion kohë pas kohe”.

Vend me rëndësi në fjalën e Ahmetajt, zunë edhe shkollat në rindërtim. Në tërësi ato janë 167, por të përfunduara, 25. Ndërkohë të tjerat janë drejt fundit të procesit.

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj

Është siguruar po ashtu nga Ahmetaj, fakti se furnizimi me energji elektrike për këto shkolla, është siguruar nga Qeveria në marrëveshje me OSHEE, kompaninë që shpërndan rrymën.

Eurobondi i pestë për Shqipërinë

Sipas Ibrahimajt, ky projektvendim i Qeverisë për daljen në tregjet ndërkombëtare, ka ardhur me qëllim garantimin e financimit të deficitit në Shqipëri.

“Është e pesta herë që Shqipëria del në treg për të marrë fonde në monedhë të huaj”, rikujtoi ajo. “Në të gjitha rastet, ky ka qenë test për qeverinë, që të sprovojë veten. Vlera ka ardhur vetëm në rritje, financimi po ashtu dhe gjithashtu procesi i maturimit”.

Delina Ibrahimaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë

Mbi këtë fakt, ministrja theksoi se kjo ka treguar besueshmërinë e lartë për Shqipërinë gjatë këtyre viteve.

Dalja e vendit në tregje pritet të jetë fillimi i nëntorit. Vlera ndërkohë, mendohet se do të emetohet në shifrën 500-700 milionë euro.

Eurobondi i fundit i emetuar ishte 650 milionë euro, më 9 qershor 2020. Kuponi asokohe ishte prej 3.65%, me një afat maturimi shtatëvjeçar. Këtë herë, shifra mund të shohë rritje.

Hyrja në tregje tani bëhet me arsye për ta emetuar atë menjëherë, në çastin kur interesat janë më së shumti të ulëta, siç e përkufizoi edhe vetë ministrja.

Suedia vijon investimet në Policinë shqiptare

Ministri i Brendshëm shqiptar, Bledar Çuçi, ka bërë me dije një tjetër vendim, ku Qeveria shqiptare ka miratuar vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë suedeze, e cila ka vite që asiston në Policinë e Shtetit.

Faza e parë e këtij bashkëpunimi ka qenë ndërtimi i zyrave të Policisë për marrëdhëniet me publikun dhe forcimi i strukturave të inspektorëve.

“Faza e dytë do të ketë lidhje me sigurinë rrugore, me marrëdhëniet e Policisë së Shtetit me qytetarët”, u shpreh Çuçi.

Ministri i Brendshëm, Bledar Çuçi, gjatë konferencës për shtyp

Sipas tij, qëllimi kryesor është ndëshkimi i shkelësve dhe mënjanimi i subjektivizmit nga marrëdhënia e policisë me shkelësit, duke futur teknologjinë.

“Me këtë projekt policët do të pajisen me smartphona dhe do të kemi blerjen e gjashtë radarëve”, tha ministri.

I pyetur nëse do të ketë rritje të pagave për efektivët, Çuçi theksoi se policët kanë përfituar më së shumti rritje të pagave, por që do të jenë në vëmendjen e Qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore