Shqipëria

Balluku: Nuk ka rritje çmimi të energjisë për furrat e bukës, mbetet 7.5 lekë kw/h


Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, tha sot se çmimi i energjisë nuk do të ndryshojë për furrat e bukës, duke mbetur 7.5 lekë/kilovat-orë. Ndërkohë për furrat e bukës që kanë edhe pastiçeri çmimi do të jetë 9.5 lekë kw/h, ndërsa për furrat e bukës që kanë pastiçeri dhe bar-kafe, 12 lekë/kilovat-orë.

Sipas ministres Balluku, ky është një çmim i subvencionuar dhe që ofron një konkurrencë të drejtë, pasi prej kohësh ka pasur një shqetësim nga furrat e bukës, ku si furrat e bukës, ashtu dhe furrat e bukës me pastiçeri e bar-kafe kanë pasur të njëjtin çmim energjie. Balluku tha se po ta krahasojmë me sot, furrat e bukës me pastiçeri do të paguajnë më pak, ndërsa nënvizoi se tarifat e propozuara do të hyjnë në fuqi në muajin maj.

“Ne vendosëm ta nisim nga Lushnja këtë takim me furrat e bukës. Kemi bërë një rishikim dhe ri rregullim të çmimit për shkak të një shqetësimi të ngritur nga shoqatat e furrave të bukës. Vendosëm të marrim disa masa për furrat e bukës, duke iu ruajtur çmimin me 7.6 lekë/kilovat-orë, aq sa e keni pasur. U përfol se u rrit, por nuk është rritur. Kemi kategorizuar të gjitha ato furra buke, që janë kthyer dhe në pastiçeri me kalimin e kohës, madje ato e kanë 9.5 lekë/kilovat-orë dhe ata që kanë bërë dhe pastiçeri dhe bar kafe me 12 lekë/kilovat-orë”, tha Balluku.

“Ne kemi 2600 furra buke në rang vendi. Është një biznes, që ofron një produkt bazik, një nga produktet më të rëndësishme të tryezës, shportës. Nuk bëhet fjalë për seriozitetin që ka qeveria ndaj këtij problemi, për abuzimet të ndryshme. Ju keni qenë zë, keni qenë duke na kërkuar që t’ju mbështesim. Ne kemi vesh për të dëgjuar dhe i marrim me seriozitet grupet e interesit. Konkurrenca e drejtë në treg është shumë e rëndësishme”, nënvizoi Balluku.

“Subvencioni 7.6 lekë/kilovat-orë, një çmim totalisht i subvencionuar dhe ndërkohë kemi pasur një furrë tjetër buke që ka pasur dhe pastiçeri dhe bar kafe dhe të kenë të njëjtat kushte subvencioni dhe konkurrence, kjo nuk ishte e drejtë për ju. Kjo është padrejtë në kushtet e konkurrencës. Ne po presim që ERE të bëjë aplikimin. Në muajin maj do të fillojmë dhe faturimet do jenë siç duhet. E rëndësishme ta themi që kryetarët e bashkive ta ndajnë me të gjithë. Nuk ndryshon çmimi i subvencionuar i furrave të bukës, 7.6 lekë/kilovat-orë. Ato furra buke që kanë pastiçeri i shkon 9.5 lekë/kilovat-orë dhe ata që kanë dhe bar kafe, 12 lekë/kilovat-orë”, përfundoi Balluku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore