Shqipëria

Balluku: Kontrollorët do të largohen nga Rinasi, aeroporti në dorë të Forcave të Armatosura


“Të gjithë ata kontrollorë, të cilët nuk do të kryejnë funksionin e tyre, do të largohen që nga ky moment nga godina ku po qëndrojnë”.

Ky është vendimi i marrë nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, pas grevës së kontrollorëve të qarkullimit ajror.

“Keni braktisur detyrën në sy të gjithë shqiptarëve. Kushdo që do të qëndrojë thjesht përpara konsolës, si për ta quajtur që nuk janë larguar nga detyra, do të largohet”.

“Kontrollorët e trafikut ajror që kanë nënshkruar kontrata, kanë vendosur as të mos bëjnë detyrën, as të mos bëjnë shërbim kujt. Për këtë arsye këta persona nuk mund të qëndrojnë më në këtë ndërtesë”.

Sipas Ballukut, këta kontrollorë po pengojnë ardhjen e vaksinave për 4 mijë e 400 euro. Hapësira ajrore shqiptare, është gjithashtu e pakalueshme në këto çaste.

Policia e shtetit dhe ushtria gjenden në Rinas dhe janë në pritje për të ndërhyrë. Ende nuk ka një raportim nëse aksioni për të larguar kontrollorët ka nisur ose jo.

Akuzat kanë vazhduar nga ministrja, se kapja e politikës i ka bërë ata të marrin këtë vendim. Akuza në distancë janë hedhur gjatë mesditës së sotme nga kryeministri Edi Rama drejt presidentit Ilir Meta, se “ai është përgjegjës për këtë situatë”.

Rama nuk ka kursyer as akuzat për ish-kryeministrin, Sali Berisha.

Ndër të tjera, Rama ka theksuar se organizatorët do të ndiqet penalisht.

“Organizatorët do të kallëzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin. Ndalohet rreptësisht ndërprerja e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve.

“Të tjerët duhet të vendosin menjëherë: O me shtetin në punë o me antishtetin në një proces penal për cenim të sigurisë kombëtare!”, finalizon Rama deklaratën e tij.

Situata ndërkohë mbetet e paqartë nëse trafiku ajror do të lirohet apo jo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore