Lajme

Ballkani Perëndimor vijon trendin, bien drastikisht kalimet e jashtëligjshme


Numri i kalimeve të parregullta kufitare në Bashkimin Evropian në pesë muajt e parë të 2024 ra me gati një të katërtën (23%) – në afro 80 mijë.

Kjo sipas llogaritjes së Frontex – agjencia evropiane për ruajtjen e kufijve.

Ballkani Perëndimor dhe Mesdheu Qendror panë rëniet më të mëdha në kalimet e parregullta midis rrugëve kryesore migratore (-71% dhe -58%), ndërsa rrugët e Afrikës Perëndimore dhe Mesdheut Lindor përjetuan rritjet më të larta (+303% dhe + 103%).

Ajo e Mesdheut Qendror, e cila pa numrin më të madh të kalimeve të parregullta në 2023-shin, vijoi të tregojë një prirje rënëse muajt e fundit.

Në muajin maj, numri i të ardhurve ishte afro 5 mijë e 100, duke rënë gati 37% nga një vit më parë.

Gjithashtu në përputhje me tendencën rënëse të kohëve të fundit, numri i zbulimeve në rrugën e Ballkanit Perëndimor në periudhën janar-maj ra me 71%.

Ndërkohë, rruga e Afrikës Perëndimore vazhdoi të shihte një numër të paprecedentë zbulimesh, me numrin e migrantëve të parregullt duke u rritur me 303% nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Ky ishte numri më i lartë totali për këtë periudhë që kur Frontex filloi mbledhjen e të dhënave në vitin 2011.

Në maj, numri i të ardhurve ishte 2 mijë e 100.

Rruga më aktive e migracionit në periudhën janar-maj ishte Mesdheu Lindor, ku numri i zbulimeve u dyfishua në mbi 21 mijë e 200 në pesë muajt e parë të vitit.

Kalimet detare mbeten të mbushura me rrezik për njerëzit që ndërmarrin migrime të parregullta.

Të dhënat nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) tregojnë se 923 individë janë raportuar të zhdukur në Mesdhe deri më tani këtë vit.

Shumica dërrmuese e tyre po lundronin në rrugën e rrezikshme të Mesdheut Qendror.

Në pesë muajt e parë të vitit 2024, ka pasur gjithashtu një rritje të konsiderueshme të kalimeve të parregullta kufitare në kufijtë tokësor lindor, me numra gati dyfishuar në 4 mijë e  450 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo rritje, ndonëse e dukshme, ende paraqet rrugën më pak aktive të migracionit në BE midis rrugëve kryesore.

Megjithatë, tendencat e fundit sugjerojnë se rruga po bëhet më aktive, duke iu afruar shifrave që shihen në itinerarin e Mesdheut Perëndimor.

Rritja e numrit i atribuohet kryesisht aktivitetit të shtuar në kufirin me Bjellorusinë, i cili ka parë një rritje të tentativave për kalime, shpesh të ndihmuara nga autoritetet bjelloruse.

Për më tepër, në kufirin ukrainas, kalimet e parregullta kryhen kryesisht nga shtetas ukrainas që anashkalojnë kontrollet kufitare.

Në rrugën e Kanalit, numri i zbulimeve në pesë muajt e parë të 2024 u rrit 38% në 21 mijë e 820.

Frontex thekson se mbetet i përkushtuar për të mbrojtur kufijtë e BE-së, me 2 mijë e 800 oficerë dhe staf të angazhuar në operacione të ndryshme.

Shqipëria dhe Serbia, ndër vendet e rajonit, mbajnë edhe peshën kryesore të kalimeve të jashtëligjshme.

Po ashtu, dy vendet kanë qenë edhe të parat, të cilat kanë firmosur marrëveshje me Frontex, më 1 maj 2021, për bashkëpunim.

Mirëpo këto marrëveshje, përtej rezultateve, duheshin thelluar dhe kjo gjë, u arrit vetëm më 18 nëntor.

Kështu bëri me dije ministri i Brendshëm i Republikës Çeke (mbajtëse e presidencës së BE-së), Vit Rakusan, duke theksuar se pjesë e autorizimit do të jenë edhe Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

Kjo, për t’u përballur me sfidat e fundit të migracionit në Ballkanit Perëndimor dhe rrugët ballkanike të kalimit të emigrantëve të jashtëligjshëm.

Në kushte të tilla, si zgjerohet më tej marrëveshje dhe çfarë arrin ajo?

Pikë së pari, shtimin e asistencës në kontrollin direkt të fluksit migrator, apo kryerjen e operacioneve të mëdha kundër kalimit të jashtëligjshëm kufitar në kuadër të mbrojtjes së territorit.

Falë ujdisë së re, stafi i Frontex do të ketë mundësi edhe të ushtrojë funksione ekzekutive, si për shembull të zhvillojë kontrolle në pikat kufitare apo të kryejë identifikimin biometrik të personave, të cilët kalojnë pikat kufitare të këtyre vendeve.

Ky aspekt i fundit, është edhe më i rëndësishëm, pasi lejon stafin e agjencisë të ushtrojë kontrolle më të imta dhe të depërtojë edhe më thellësisht në rrugën ballkanike që emigrantët zgjedhin.

Por, mbi të gjitha, e gjithë çështja shkon në benefit të vendeve të BE-së, të cilat janë përballur përtej fluksit të emigrantëve, për shkak të luftës në Ukrainë, edhe me shtim të kalimeve të jashtëligjshme nga emigrantët e rrugëve ballkanike.

Thënë kjo, zgjerimi i bashkëpunimit me gjithë rajonin, por veçanërisht me Shqipërinë dhe Serbinë, mund t’i japë jetë një fronti të ri bashkëpunues, i cili mund të frenojë edhe më tej fluksin e emigrantëve drejt BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore