Shqipëria

Balla paralajmëron ndryshime në “vizionin” dhe “misionin” e Policisë


Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla, deklaroi se policia duhet të jetë më shumë vetë-korrigjuese dhe duhet të perceptohet vetëm dhe vetëm si simbol i ligjshmërisë.

Lajmi u bë i ditur gjatë takimit me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë së Gjirokastrës.

Balla ka nënvizuar se eficenca e punës së policisë nuk varet nga forca e tyre, por nga forca e ligjit.

Kjo, duke theksuar se duhet t’i jepet më shumë prioritet komunikimit dhe bashkëpunimit me qytetarët dhe funksioneve edukuese të Policisë.

“Siç e kam bërë të ditur gjatë kontakteve të mia të para me drejtues të Policisë së Shtetit, përfaqësues të institucioneve, por edhe me qytetarë në të gjithë territorin e vendit. Policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese kanë nevojë për disa ndryshime në vizionin dhe misionin e tyre. Kam konstatuar se publiku dhe qytetarët i kanë mirëpritur këto qasje të reja në raportet e Policisë me ligjin dhe qytetarët”, shtoi zyrtari shqiptar.

Sipas tij, polici duhet të jetë një model, një referencë për qytetarët.

“Në çdo rast shkelja e ligjit ka pasoja të rënda për shoqërinë, por kur ligjet shkelen nga policët, pasojat janë shumëfish më të rënda. Kjo trondit besimin publik jo thjesht te policia, por te shteti dhe ligji”, ravijëzoi Balla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore