Shqipëria

Balla: Në Kuvend do të shkojmë me një kandidat për president


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, ka deklaruar se mazhoranca të shtunën e 4 qershorit do të sjellë në Kuvend për votim vetëm një kandidaturë për president.

Ai në një dalje të tij publike tha se ky emër do të dalë pas takimit të kryesisë në orën 17:00 të premten e 3 qershorit.

Sipas Ballës deputetët kanë paraqitur emrat e tyre dhe “në fund do të dilet me një short-listë”.

Mazhoranca shpesh ka paralajmëruar se propozimet e tyre do të vijnë vetëm në raundin e katërt dhe të pestë, duke i lënë kështu tre raundet opozitës.

Pavarësisht se, pas takimeve mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës, u duk si një “dritë jeshile” për propozimin e kandidatëve, çdo gjë u hodh poshtë.

Kujtojmë se raundi i parë i dytë dhe i tretë i votimeve u përmbyllën pa asnjë kandidat.

Çfarë parashikohet në Kushtetutë?

Procesi për zgjedhjen e Presidentit kalon në pesë raunde. Në tri raundet e para, ai duhet të zgjidhet me tri të pestat e votave – pra 84 vota.

Kushtetuta parashikon se, nëse në fund të tri raundeve nuk kemi një president konsensual, atëherë Kreu i Shtetit zgjidhet me 71 vota.

Sipas saj, socialistët mund ta zgjedhin vetë presidentin në raundin e katërt.

Shumica e kërkuar është e thjeshtë, 71 vota pro dhe ata i kanë me formatimin e parlamentit.

Presidenca e shtatë në Shqipëri do të përmbyllet më 24 korrik të vitit 2022.

Në krye të shtetit, që prej 2017-ës, është Ilir Meta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore