Shqipëria

Balla drejtuar Policisë Rrugore: Të zbatohen rregullat e reja për më shumë siguri


Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Taulant Balla ka vijuar takimet me strukturat shtretërore pas emërimit të tij në këtë post prej 10 korrikut.

Radhën e kishte mbledhja me Policinë Rrugore për t’i përgëzuar për punën e tyre ndërsa theksoi se intensiteti i kontrollit duhet të jetë gjithnjë edhe më i madh.

“Njësia e Policisë rrugore të Tiranës është një nga modelet e mira që ne kemi dhe do të vazhdojmë ta shtrijmë në të gjithë territorin. Policia duhet të jetë një strukturë shtetërore ku prevalon ndershmëria dhe ku u shërbehet njerëzve. Ju përgëzoj për punën që bëni dhe dua tju garantoj që do të jem gjithmonë aty në krahun tuaj”, u shpreh fillimisht zyrtari shqiptar.

Ai bëri thirrje që duhen zbatuar rregullat dhe kushtet e reja në Kodin Rrugor që të garantohet sa më shumë siguri.

“Na duhet që rregullat e reja të vendosura nga Kodi Rrugor me ndryshimet që janë bërë para disa kohësh në Kuvendin e Shqipërisë të zbatohen në mënyrë që ne të garantojmë sa më shumë siguri në rrugë. Kemi një numër të rritur aksidentesh por kjo nuk vjen për fajin e Policisë Rrugore, por ne duhet të rrisim intensitetin tonë të kontrollit në mënyrë që njerëzit të ndërgjegjësohen. Respektimi i rregullave të Kodit Rrugor rrit sigurinë në rrugë”, ravijëzoi Balla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore