Lajme

Bajrami shpërfaqë mashtrimin e Muratit: Eksportet janë 6% më të ulëta, për këtë s’po flet


Hykmete Bajrami

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, i ka bërë me dije Ministrit të Financave, Hekuran Murati, se eksportet e Kosovës në vitin 2022, janë për 6 për qind me të ulëta se ato të vitit 2023.

Këto komente, Bajrami i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që Murati të premten tha se qarkullimi i bizneseve në Kosovë për periudhën janar –shkurt të këtij viti, krahasuar me vitin 2023, “ka shënuar një rritje prej 4.8 për qind”.

“Ministër, po ta kujtoj se eksportet e Kosovës të vitit 2022 janë për 6% më të ulëta se ato të vitit 2023, për këtë s’po flet a? “, shkroi Bajrami.

Ish-ministrja e Financave e pyeti Muratin se çka ka bërë ai për sektorin privat “që po krenohesh me qarkullimin e tyre, përveç që ju ke marrë taksat dhe i ke shpërnda në formë të karameleve”, derisa ia prezantoi edhe disa të dhëna.

“Në mandatin e juaj: Investimet kapitale të nivelit qendror  janë të njëjta me ato të vitit 2017, plus ti ke inflacion 23 për qind në tri vitet e fundit, Bizneseve u është dyfyshu tatimi në pronë, Bizneseve u është rritë çmimi i energjisë”.

Deputetja e LDK-së theksoi se bizneset për shkak të sanksioneve “që ju e keni futë vendin e kanë pasë shumë më vështirë me i mirëmbajtë kontratat me partnerët e tyre jashtë dhe për atë arsye eksporti në vitin 2023 është për 6 për qind me ulët se ai i vitit 2022”.

“Që dy vjet e ke drejtorin e ATK-së pa mandat, të emëruarin e PDK-së në kohën e  Bedri Hamzës ministër i financave, çka me të thanë…”, shtoi.

Murati, në postimin e tij në Facebook, ku foli për “rritjen” e qarkullimit të bizneseve, tha se çdo pretendim tjetër nëpër studio televizive, ndryshe nga ajo se ai e prezanton, “është i keqinformuar, ose qëllimkeq”.

Mirëpo, për këtë, Bajrami e sfidoi Muratin publikisht për përballje televizive.

“E sa ju përket atyre që po themi në studio merr leje ndonjë ditë, gjeje guximin e hajde përballemi”, i bëri ftesë ajo.

Murati me shifra: Qarkullimi i bizneseve në Kosovë ka shënuar rritje

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore