Lajme

Bajrami: Qeveria duhet të reflektoj – projektbuxheti duhet të dërgohet në lexim të tretë


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku është duke u shqyrtuar projektbuxheti ka thënë se ky projektbuxhet ka mangësi të mëdhaja.

Sipas Bajramit, Qeveria duhet të reflektojë dhe ta dërgojë këtë projektbuxhet në lexim të tretë.

“Në mes të datës 31 tetor kur Qeveria e Kosovës, e ka përcjellur ligjin e draft-buxhetit në Kuvendin e Kosovës dhe ditën ku jemi tani që po e lexojmë për herë të dytë ligjin e buxhetit janë disa gjëra që kanë ndodhur dhe mendojmë që Qeveria është dashur të reflektoj dhe ta tërheqë ligjin e buxhetit ose të shkoj ky ligj nga sot në lexim të tretë”, tha Bajrami para deputetëve.

Ajo tutje ka kritikuar rezultatet e PISA-ve, duke thënë se për ekzekutivin rezultatet do të duhej të ishin “kambanë”.

“Është koha e fundit që arsimi të bëhet prioritet kombëtar për Kosovën”.

“Me datën 5 dhjetor, Kosova pranoi rezultatet e testit PISA në testin PISA të vitit 2022 Kosova është renditur në vendin e 79-të. Nëse e krahasojmë vitin 2018 me vitin 2022, përqindja është rritur tek nxënësit që nuk kanë pasur rezultate të mira”.

“Sot po e shoh që nuk është as kryeministri dhe as ministrja e Arsimit prezent, por ne duhet ta themi një gjë që sipas të dhënave të ministrisë së Arsimit 33% të shkollave në Kosovë dhe 77% të paraleleve nuk i përmbushin kushtet për të mbajtur mësim sipas kritereve ligjore”.

Më 16 nëntor, deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2024 pas seancës maratonike të së enjtes.

Pro kanë qenë 62 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pas hedhjes në votim të këtij projekligji, deputetët e opozitës kanë lëshuar sallën në shenjë revolte.

Seanca e Kuvendit të Kosovës ishte përcjellur me akuza e kundër akuza ndërmjet deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushet dhe deputetëve të partive opozitare – Partia Demokratike (PDK), Lidhja Demokratike (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AKK) – lidhur me buxhetin e planifikuar për vitin 2024 nga Qeveria e Kosovës.

Në projektbuxhetin për vitin 2024 parashihet që mbi 1 miliard euro të shkojnë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, ndërsa 800 milionë euro për paga e shtesa. Gjithashtu, afër 500 milionë euro parashihen të shkojnë për mallra dhe shërbime.

PDK-ja ka shprehur kritikat e saj ndaj projektbuxhetit, nën arsyetimin se planifikimi aktual nuk ka alternativë zhvillimore dhe nuk është buxhet i mirëqenies së qytetarëve, derisa LDK-ja ka vlerësuar se është përkeqësuar struktura e buxhetit dhe investimet kapitale kanë rënë në 16 për qind.

AAK-ja nga ana tjetër ka shprehur shqetësimin për mohimin e shtesave të rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës dhe mungesën e investimeve kapitale, derisa buxhetin e planifikuar nga Qeveria e Kosovës për vitin 2024 e ka cilësuar si më të voglin që prej çlirimit të Kosovës në vitin 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore