Sport

Baggio thotë se duhet të hetohet vdekja e Vialli-t: Vdekje e dyshimtë, atë kohë dopingu ishte prezent


Legjenda e futbollit italian, Gianluca Vialli, ndërroi jetë para pak ditësh pas sëmundjes së kancerit të pankreasit.

Kur kanë kaluar pak më shumë se një javë nga vdekja e tij, një deklaratë shokuese vjen nga ish-lojtari Dino Baggio.

Baggio, që ishte shok skuadre me Vialli-n te Juventus-i gjatë viteve 1992 deri më 1994 tha se duhet të ketë një hetim në lidhje me substancat që lojtarët konsumonin në atë kohë.

“Duhet të ketë një hetim në lidhje me substancat që kemi përdorur në atë kohë. Dopingu ka qenë gjithnjë prezent dhe tashmë duhet kuptuar nëse disa substanca kanë ndikuar për keq në shëndet gjatë kësaj kohe që ka kaluar”, tha Baggio.

Baggio shtoi se edhe vetë ka frikë se mund t’i shfaqet një sëmundje e keqe, pavarësisht se sipas tij, ai nuk ka konsumuar asnjëherë ndonjë lloj substance.

“Edhe unë jam i frikësuar, pasi këto sëmundjet e keqe po i ndodhin në masë ish-lojtarëve. Duhet të shohim dhe analizojmë se çfarë kemi konsumuar në atë kohë”, shtoi Baggio.

“Unë nuk kam konsumuar asnjëherë substanca të dyshimta, por duhet parë nëse gjëra të tjera që kemi konsumuar kanë ndikuar për keq apo jo”, u shpreh Baggio.

Kujtojmë që Gianluca Vialli, ish-sulmuesi i Sampdoria, Juventus, Chelsea dhe i kombëtares italiane u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare më 6 janar.

Që prej nëntorit 2019, ai ishte kryetar i delegacionit të kombëtares italiane, me trajner ish-partnerin e tij, Roberto Mancini-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore