Lajme

Baerbock: Nuk do te heqim dorë nga Ballkani Perëndimor


Annalena Baerbock, Ministrja e Jashtme e Gjermanisë

Zhvillimet e fundit ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës kanë bërë të qartë se Evropa duhet të jetë e gatshme të investoj në mënyrë strategjike në sigurinë e saj afatgjatë.

Kjo bëhet edhe më e domosdoshme kur bëhet fjalë për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ka vlerësuar ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Këto deklarata Baerbock i bëri para vizitës së saj në Sarajevë, Beograd, Prishtinë, e më pas në Moldavi.

Ajo ka theksuar se paqja e sotme në Ballkanin Perëndimor mund të mos jetë e përsosur, por është e çmuar.

“Ne duhet të themi hapur se kemi zhgënjyer dhe lënë pas dore shumë nga këto vende vitet e fundit. Në këtë kënd të hapur të Evropës po tentojnë të depërtojnë aktorë si Rusia, të cilët nuk kanë interes për të ardhmen evropiane dhe nuk ngurrojnë të rindezin konfliktet e pazgjidhura”.

“Unë jam duke udhëtuar tani në Ballkanin Perëndimor për të dëgjuar se çfarë presin njerëzit atje nga ne, por edhe për ta bërë të qartë se ne nuk do ta lëmë atë rajon në zemër të Evropës nën ndikimin e Moskës”, tha Baerbock.

Ajo theksoi se Evropa ka treguar ditët e fundit se është efektive dhe e vendosur për të kundërshtuar veprimet agresive të presidentit rus.

“Njerëzit në rajon do të na masin nëse fjalët tona do të pasohen nga vepra. Gjermania ka një interes themelor në Ballkanin Perëndimor, të qëndrueshëm dhe ekonomikisht të begatë, pasi që këto vende janë të orientuara kah Evropa. Ne do të avokojmë për këtë në bisedimet e ardhshme politike dhe strategjike”, tha Baerbock.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Analena Baerbock, të mërkurën e 10 marsit, në mbrëmje pritet që të arrijë në Sarajevë, për të vazhduar të premten për Beograd, dhe pastaj në Prishtinë, mëson gazeta boshnjake “Klix.ba”.

Gazeta shkruan se BeH do të jetë vendi i parë i vizitës së kryediplomates gjermane, e cila citohet edhe të ketë thënë se situata në BeH është më shqetësuesja në rajon.

Në Serbi, Baerbock pritet të diskutojë për dialogun Kosovë-Serbi, dhe siç është lajmëruar më herët, ajo do të provojë të kuptojë pozicionin e Serbisë karshi pushtimit rus të Ukrainës.

Analena Baerbock, që kur ka marrë detyrën e saj në qeverinë e re të Kancelarit Olaf Schoolz, ende nuk e ka vizituar Ballkanin Perëndimor në kapacitetin e saj të ri zyrtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore