Lajme

Avokati i ushtarit të FSK-së: Vetura e tij u sulmua me mjete të forta, shtiu me armë në tokë dhe ajër


Ka përfunduar seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ushtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili dyshohet se i plagosi dy rijnë serbë në Shtërpcë të premten, derisa avokati i tij, Naim Ferati, ka theksuar se vetura e të mbrojturit të tij ishte sulmuar me mjete të forta nga një turmë e qytetarëve që po festonin.

“I gjetur në këto rrethana, e duke u ndier i rrezikuar nga sulmi serioz i turmës së njerëzve, i njëjti me qëllim të largohet nga aty kishte nxjerr revolen dhe duke e mbajtur në pozitë të ulët e duke mos e drejtuar ndaj asnjërit person, kishte shkrepur fillimisht në tokë e pastaj në ajër”, tha Ferati para gazetarëve.

“Dhe nga ky moment i njëjti ishte larguar në Prevallë pa e kuptuar se nga ngjarja kishte të lënduar”, tha avokati para gazetarëve”.

Ai ka potencuar se ushtari i FSK-së, nuk ka pasur asnjë qëllim që të qëllonte apo lëndonte ndonjë qytetar, por e gjithë ngjarja ishte zhvilluar në vetëmbrojtje.

“Ky vlerësim i mbrojtjes vërtetohet edhe nga vetë nëna e 11-vjeçarit të lënduar, zonja Zorica Stojanoviç, që në deklarimin e paraqitur për mediat në gjuhën serbe, tha se ‘nuk ka qëlluar në drejtim të tyre, por në asfalt’’, ka thënë Ferati.

Prokuroria Themelore e Ferizajt për rastin e plagosjes së një 11 vjeçari dhe një 21 vjeçari në Shtërpcë, ka kërkuar që të pandehurit A.K., t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Sipas njoftimit të prokurorisë, rasti është kualifikuar si “vrasje në tentativë”.

Prokuroria sqaron në komunikatë se ekziston dyshimi që i pandehuri me dashje ka tentuar që t’i privojë nga jeta dy të rinjtë pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 6 janar 2023, rreth orës 14:00, në fshatin Gotovushë, komuna Shtërpcë, me dashje ka tentuar që t’i privoj nga jeta të dëmtuarit M. S dhe S.S., ku, pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty, e nxjerr revolen e markës ‘Mossberg’ dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit, të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin e Graçanicës”.

A kanë drejtë ushtarët e FSK-së të bartin armë edhe jashtë orarit?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore