Lajme

A kanë drejtë ushtarët e FSK-së të bartin armë edhe jashtë orarit?


Një barrikadë u rikthye përkohësisht të shtunën në Kosovë, në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, pasi serbët lokalë bllokuan rrugën në shenjë proteste, kur u plagosën me armë zjarri dy të rijnë serbë nga një pjesëtarë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, për motive ende të panjohura.

Për rastin në fjalë, ministri i Mbrojtës, Armend Mehaj, nuk dha shumë detaje, veçse e pohoi se i dyshuari është ushtar i FSK-së.

“I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”, shkroi Mehaj në Facebook të shtunën.

Akoma s’është bërë e qartë se arma me të cilën shkrepi dorasi ishte arma e tij e ushtrisë, apo një armë ilegale.

Ish-oficeri i FSK-së, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka treguar për Albanian Post se a kanë të drejt ushtarët t’i bartin armët edhe jashtë orarit të punës?

“Struktura ushtarake ndërtohet nga baza që është ushtari profesionist, nënoficer pastaj ndahen nga disa kategori. Të gjithë pa përjashtim kanë armët e gjata, disa nga ta kanë edhe pistoleta ku hyjnë oficerët. Ushtarët armët e gjata i përdorin vetëm në orët e stërvitjes taktike dhe me armë. Por, asnjëherë nuk i përdorin në kohë e lirë apo lëvizjen e lirë, aq më pak ku ka civilë” shpjegon ai.

Kështu, sipas tij, “ata armët nuk guxojnë t’i nxjerrin jashtë kazermave”.

“Në jetën private ata edhe mund të ketë armë pa leje siç është rasti i këtij. Por nuk besoj që e ka pas armën zyrtare. Në ushtritë moderne dhe profesioniste nuk toleron kodi disiplinor”, shton ai.

Sipas Berishës, arma nuk mundet asnjëherë të merret në posedim pa u njoftuar nga magazina ku deponohen armët.

Plagosja e dy të rinjve në Shtërpcë – serbët vendosin barrikadë në fshatin Gotovushë

Ndërkaq njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, thekson për AP se ekziston rregullorja e FSK-së për bartjen dhe përdorimin e armëve.

“Sipas kësaj rregullore në nenin 2, pika 2, precizohet se vetëm ata pjesëtar të FSK-s të cilët kanë kryer me sukses kurset përkatëse dhe përvetësuar standardet e nevojshme të sigurisë dhe zotësisë do t’u lejohet të bartin armën gjatë detyrës”, theksoi Shala.

“Ndërsa në nenin 3 të kësaj rregullore pika 3, armët assesi nuk duhet të mbahen jashtë departamenteve të sigurta për ruajtjen e armëve, ku as një pjesëtar i FSK-s nuk mund ta mbaj armën e FSK-s në shtëpi”.

Por, ai shton se në disa raste edhe lejohen pjesëtarët e FSK-së që t’i bartin armët me vete, vetëm nëse autorizohen nga komandanti i forcës apo komandantët e njësive përkatëse, ku “sipas specifikacionit të detyrave mund t’i lejohet të bartë armën 24/7”.

“Ndërsa të pjesa e oficereve me grada mbi major e tutje kanë të drejtë të bartin armen për nevoja të mbrojtjes se jetës së tyre ku rrezikshmëria konsiderohet sipas gradës dhe detyrës qe kanë”.

Ndryshe ndaj ushtarit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili ishte i përfshirë në plagosjen e dy të rinjve (11 dhe 21 vjeçar) pritet që të caktohet masa e paraburgimit të shtunën.

Lajmin e ka bërë të ditur për Albanian Post, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari.

“Ju njoftoj se sot pasdite do të paraqesim në Gjykatën Themelore në Ferizaj, kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Jashari për AP.

Ndërsa kirurgu Bozhidar Odaloviç, ka theksuar të plagosurit janë mirë.

“Djemtë janë ende të shtruar tek ne, është përshkruar terapia e duhur dhe ata janë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit tonë mjekësor. Plagët janë trajtuar sot, plagët janë mirë dhe shpresoj se gjithçka do të jetë në rregull”, tha Odaloviç.

Plagosja e dy të rinjve në Shtërpcë: Paraqitet kërkesa për masën e paraburgimit ndaj dorasit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore