Lajme

Plagosja e dy të rinjve në Shtërpcë – serbët vendosin barrikadë në fshatin Gotovushë


Për shkak të plagosjes së një fëmije 11 vjeçar dhe një të riu 21 vjeçar, të dy të nacionalitetit serb, qytetarët në fshatin Gotovushë, në komunën e Shtërpcës, kanë bllokuar rrugën.

Në një pjesë të rrugës janë vendosur goma veturash e drunj në mes të rrugës, kurse pak më poshtë janë grumbulluar njerëz duke e bërë kalimin në atë pjesë të pamundshëm.

Kjo rrugë e bllokuar çon drejt Prevallës. Serbët lokalë kanë ndezur edhe një zjarr në mes të rrugës.

Kryetari i Shtërpcës dhe Policia e Kosovës janë duke negociuar me qytetarët për t‘i liruar rrugët për shkaqe sigurie.

May be an image of 6 people, fire and outdoors
Foto nga vendi ku eshte bllokuar rruga

Në orët e pasdites të së premtes, policia e Kosovës njoftoi se janë plagosur dy të rinj në Shtërpcë. Më vonë, sipas një njoftimi në Facebook, të ministrit Armend Mehaj, u kuptua se nga të përfshirët në rast është edhe një pjesëtar i FSK-së.

Rastin e kanë dënuar kryeministri, Albin Kurti e presidentja, Vjosa Osmani.

Siç zakonisht ndodh, në Serbi rastit i kanë dhënë ngjyrime politike. Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç, ka deklaruar se “serbët janë qëlluar nga një shqiptar”, derisa pohoi se qëllimi ishte “të na japin Krishtlindje të përgjakshme”.

Në anën tjetër, kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që fajtorët të sjellën para drejtësisë.

“E dënoj ashpër”, Kurti për plagosjen e dy të rinjve në Shtërpcë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore