Kosova

Avokati i Popullit: Mosekzekutimi i pagave rrezikon mirëqenien e mësimdhënësve


Avokati i Popullit

Mos-ekzekutimi i pagave të mësimdhënësve të cilët ishin në grevë për një muaj sipas Avokatit të Popullit rrezikon seriozisht mirëqenien sociale të punëtorëve arsimor si dhe familjeve të tyre.

Sipas Avokatit të Popullit mos-ekzekutimi i pagave të mësimdhënësve nuk kontribuon dialogut social si dhe përmirësimit të situatës në krijuar pas grevës së përgjithshme si në arsim ashtu edhe në administratë publike.

Qeveria e Kosovës, sipas institucionit të Avokatit të Popullit ka për detyrë të respektojë të drejtat dhe lirit e njeriut si dhe të sigurojë paqen sociale në vend.

“Prandaj Avokati i Popullit edhe publikisht përmes kësaj komunikate i bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të reflektojë dhe ta gjejë një zgjidhje për të dalë nga kjo situate”, thuhet në komunikatë për media e lëshuar nga ana e Avokatit të Popullit.

Ndryshe një ditë më parë Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se grevistët nuk duhet të paguhen për ditët në të cilat kanë qenë në grevë.

Sipas saj një gjë të tillë e parasheh Ligji për Grevën.

Se paga për mësimdhënësit grevistë nuk do të ketë e ka konfirmuar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Qeveria po bazohet në dy nene të Ligjit për Greva për ta arsyetuar mos pagesën e mësimdhënësve.

I pari është neni 18 ku flitet për “efektet e grevës së ligjshme” dhe në pikën 1 të këtij ligji thuhet se “gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës”, derisa është edhe neni 7, pika 1, ku është përmirësuar neni bazik 18 i ligjit, the ku togfjalëshit “Kontrata e Punës” i shtohet fjalia “duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.

Juristët e kanë interpretuar në forma të ndryshme këtë ligj. Disa thonë se ka bazë ligjore për të ndaluar pagat e të tjerë deklarojnë se këto dy nene nuk thonë që të ndalet paga dhe mos pagesa është e kundërligjshme.

Në një pjesë të opinionit publik, ndalja e pagave është interpretuar si tendencë e qeverisë për të frikësuar të pakënaqurit dhe shuar revoltat eventuale nga kjo pakënaqësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore