Shqipëria

“Aviacioni Civil”, Balla-Alibeajt: Portet dhe aeroportet janë investime strategjike


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë seancës plenare të 16 qershorit iu drejtua opozitës se portet dhe aeroportet janë investime strategjike.

Ndërsa në replika në distancë me kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, Balla kritikoi qeverisjen e demokratëve për çmimet e biletave të fluturimeve.

“Jam i detyruar të krahasoj me kohën kur keni qenë ju në qeveri. Nuk bëhet fjalë është botë tjetër komplet. Difersifikimi apo numri i fluturimeve është një tjetër çështje”, u shpreh Balla.

Ky i fundit nga foltorja e Kuvendit iu kujtoi demokratëve, tanimë në opozitë, se Tirana u shpall si vendi me fluks të lartë të fluturimeve – “107 fluturime në ditë, ndërsa para dhjetë vitesh ishin dhjetë fluturime në ditë”.

“Tani mos u habisni sepse edhe çmimet janë më lirë”.

Ndërsa ai u ndal te përfundimi i aeroportit të Kukësit, i cili shtoi se projekti për të ishte që prej vitit 1997 – kohë kur PS-ja ishte në mazhorancë deri në 2005-ën.

“Aeroporti i Kukësit përfundoi diku nga mesi i vitit 2001, nuk u bë dot gati në atë kohë. Ju kujtoj që aeroporti i Vlorës nuk ishte në imagjinatë, por besoj se do të hapet më shpejt se afati i përcaktuar dhe shumë shpejt do të jemi me tre aeroporte”, vijoi Balla.

Nga ana e tij Alibeaj kritikoi qeverinë duke vënë theksin se aeroportet janë shndërruar në porta dalëse vetëm për ikje.

“Sa herë që flitet për aviacionin civil pak gjëra u vijnë në mend. Por dua të kujtojmë se për 30 vite është dhënë me koncension aeroporti Nënë Tereza. Sot ai që e ka marrë ju e quani biznesmen, ne e quajmë jo të tillë sepse është sinonim i oligarkut”, u shpreh Alibeaj.

Duke përmendur aviacionin civil, Alibeaj u shpreh se sillet bota e krimit. Sipas kreut të grupit demokrat aeroportet si ai i Vlorës dhe i Kukësit janë thjesht për tu shfrytëzuar.

“Aeroportet janë shndërruar në porta dalëse vetëm për ikje, fatkeqësi”, e përmbylli ai.

Kujtojmë se gjatë kësaj dite në Kuvendin u Shqipërisë u diskutua dhe u miratua projektligj “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore