Lajme

Autoritetet ruse në Kherson fillojnë evakuimin e civilëve


Zyrtarët pro-Kremlinit në rajonin e kontrolluar rus të Kherson-it në Ukrainën jugore thanë të mërkurën se kishin filluar të zhvendosnin civilët nga qyteti kryesor.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Lëvizja e autoriteteve ruse vjen ndërsa forcat ukrainase përparojnë në Jug.

“Në Kherson, lëvizja e organizuar e banorëve për në anën tjetër të Dnieper-it ka filluar”, thanë zyrtarët pro-rusë në qytetin e Alyoshki-t në mediat sociale.

Televizioni rus Rossiya 24 tregoi imazhe të njerëzve që prisnin të hipnin në traget për të kaluar lumin.

Kreu i emëruar nga Rusia i rajonit Kherson, Vladimir Saldo njoftoi më herët se popullsia civile do të evakuohet nga një pjesë e rajonit.

Kjo, pasi pritet një përshkallëzim i armiqësive.

Saldo më 18 tetor njoftoi një “zhvendosje të organizuar, graduale” të civilëve nga katër qytete në bregun e djathtë të lumit Dnieper.

“Kam marrë një vendim të vështirë, por korrekt për të njoftuar transferimin e organizuar të popullsisë civile të komunave Berislav, Belozersky, Snigiryovsky dhe Aleksandrovsky në bregun e majtë të Dnieper-it”, shtoi Saldo, duke shtuar se “aty ku operon ushtria, ka nuk ka vend për civilët”.

Kherson është një nga katër provincat pjesërisht të okupuara të Ukrainës që Rusia pretendon se i ka aneksuar javët e fundit, dhe ndoshta më e rëndësishmja strategjikisht.

Ai kontrollon si të vetmen rrugë tokësore për në gadishullin e Krimesë, ashtu edhe grykën e Dnieperit, lumit gjigant që kalon përmes Ukrainës.

Që nga fillimi i tetorit, forcat ukrainase kanë shpërthyer nëpër linjat e frontit të Rusisë atje, në përparimin e tyre më të madh në jug që nga fillimi i luftës.

Ukrainasit kanë lëvizur me shpejtësi përgjatë bregut perëndimor të lumit, duke synuar të ndërpresin mijëra trupa ruse nga linjat e furnizimit dhe rrugët e mundshme të tërheqjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore