Shqipëria

Autoritetet pritet të riatdhesojnë 100 shqiptarë nga Britania


Gjatë të enjtes pritet që në vendin tonë të riatdhesohen 100 shqiptarë nga Britania e Madhe, të cilët u larguan nga Shqipëria përmes varkave të vogla.

Mbërritja e tyre është parashikuar rreth orës 13:00 në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, me një aeroplan nga Anglia.

Pas qëndrimit për disa muaj në kampet refugjate britanike, shumica prej tyre zgjodhën kthimin vullnetar, ndërsa të tjerët janë detyruar nga autoritetet vendase.

Autoritetet britanike dhe shqiptare kanë punuar bashkarisht për të parandaluar hyrjen dhe qëndrimin e emigrantëve të paligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Që nga nënshkrimi i komunikatës, shifrat e reja tregojnë se mbi 1 mijë shtetas shqiptarë janë kthyer në Shqipëri, sipas deklaratës zyrtare të dy vendeve.

Këto të dhëna përfshijnë shtetas që nuk mund të marrin azil, shkelës të ligjit si dhe ata që janë kthyer vullnetarisht prej nënshkrimit të Komunikatës së Përbashkët më 13 dhjetor deri në javën e parë të muajit prill.

Ekipet operacionale të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë kanë ngritur një task forcë të përbashkët për migracionin.

Kjo e fundit, shërben si porta kryesore për të koordinuar masat dhe veprimet e specializuara operacionale për menaxhimin e migrimit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë në MB.

Këtu përfshihen kontrollet e përforcuara për kriteret e lëvizjes së lirë në të gjitha pikat e kalimit kufitar në të gjithë vendin, verifikimet e shtuara për shtetasit shqiptarë që konstatohen se ndodhen ilegalisht në territorin e Britanisë së Madhe dhe shkëmbimi i oficerëve të lartë të policisë në të dy vendet.

Në vitin 2022 ka pasur 1 mijë e 888 kthime të shtetasve shqiptarë, nga të cilët 954 (51 për qind) janë kthime të detyruara dhe 934 (49 për qind) kthime vullnetare.

Numri i kthimeve vullnetare është 90% më i lartë se në vitin 2021 (492).

Në vitin 2023, nga janari në mars, janë kthyer 795 shtetas shqiptarë.

Prej tyre, 389 (49 për qind) ishin kthime të detyrueshme dhe 406 (51 për qind) ishin kthime vullnetare. Këto operacione pritet të intensifikohen më tej në muajt në vijim.

Statistikat më të fundit të emigracionit të paligjshëm të Mbretërisë së Bashkuar, të publikuara të hënën e 24 prillit dhe që mbulojnë një sërë kombësish, tregojnë gjithashtu se vizitat e zbatimit të kryera midis janarit dhe marsit 2023 janë rritur që nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Më 31 mars 2023, numri i rasteve të trashëguara në vendimet fillestare të mbetura për azil ishte 11 për qind më i ulët se në 31 dhjetor 2022 ndërsa numri i vendimmarrësve për azilin është rritur që nga korriku i vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore