Kosova

“Autoritetet palestineze u kërkojnë vendeve islamike që ta tërheqin njohjen e Kosovës”


Ministri i Punëve të Jashtme të Palestinës, Riyad al-Malki

Autoritetet Palestineze u kanë kërkuar vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që të ndërpresin marrëdhëniet me Kosovën pas hapjes së ambasadë në Jerusalem, shkruan media serbe Novosti.

Sipas burimeve të këtij mediumi, kërkesa është bërë nga ministri i Punëve të Jashtme të këtij autoriteti, Riyad al-Malki, në adresë të sekretarit të OBI-së.

Në arsyetimin e tij, Al Malki konsideron që marrëdhëniet me Kosovën duhet të ndërpriten, pasi siç thotë ai “Kosova ka shkelur ligjin dhe rezolutat ndërkombëtare me vendimin e saj, por gjithashtu sulmon hapur popullin palestinez dhe të drejtat e tij”.

“Nëse anëtarët e OBI-së do të pranonin kërkesën palestineze, Prishtina do të përballej me një humbje të madhe të mbështetjes, sepse pavarësia e Kosovës u njoh nga 30 nga 57 vendet që janë në këtë organizatë. Vlerësohet se ata zyrtarisht nuk do të tërhiqnin vendimet e njohjes, por një numër i madh i tyre sigurisht që nuk do të mbështesnin më Kosovën në përpjekjet e saj për t’u bashkuar me organizatat ndërkombëtare”.

Ndërkohë, Ambasadori palestinez në Serbi, Mohamed Nabhan, pati theksuar se “akti i hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem është shkelje e parimeve të vendeve arabe dhe islamike, të cilat besojnë se Jerusalemi është një qytet i okupuar, i cili konfirmohet nga rezolutat e shumta të Kombeve të Bashakura dhe se Rezoluta 478 ndalon shtetet të zhvendosen ose hapin ambasada në Jerusalem”.

Ndër anëtarët e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që e njohin Kosovën janë Shqipëria, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Kuvajti, Katari, Bahreini, Pakistani dhe Libia, ndërsa pavarësia e Kosovës nuk është njohur nga Palestina, Azerbajxhani, Indonezia, Irani, Algjeria, Tunizia e Kazakistani.

Kosova zyrtarisht vendosi marrëdhënie diplomatike me Izraelin më 1 shkurt, dhe njoftimin se do të hapej një ambasadë në Jerusalem, OBI e dënoi menjëherë më 3 shkurt.

Synimi i autoriteteve të Kosovës u kritikua gjithashtu nga Bashkimi Evropian, por përkundër kësaj, ambasada u hap zyrtarisht në Jerusalem më 14 mars.

Para Kosovës, vetëm SHBA-ja dhe Guatemala kishin misione diplomatike në Jerusalem.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore