Lajme

Autoritetet amerikane nisin hetimet për sulmin e Kabul-it


Autoritetet amerikane janë duke vlerësuar dhe hetuar raportet për vdekjet e 10 civilëve në Kabul. Kjo, sipas raportimeve të prestigjiozes BBC.

Të dielën e 29 gushtit, një sulm me dron synonte një sulmues potencial ndaj aeroportit të kryeqytetit të Afganistanit.

Ushtria amerikane tha se kishte në shënjestër një automjet që mbante të paktën një person të lidhur me degën afgane të grupit të Shtetit Islamik.

Sipas komandantëve amerikanë ka pasur “shpërthime të rëndësishme dytësore” pas goditjes së dronit. Për autoritetet amerikane kjo nënkupton se kishte eksplozivë në vendin e ngjarjes – të cilat mund të kenë dëmtuar njerëzit aty pranë.

Fëmija më i vogël që u vra ishte Sumaya dyvjeçare, dhe fëmija më i madh ishte 12-vjeçari Farzad, tha familja që humbi gjashtë anëtarë për BBC.

Duke iu kthyer ngjarjes tragjike, Ramin Yousufi, i afërm me viktimat, deklaron se “ky sulm brutal ishte i gabuar”.

Ai shtoi i përlotur se “trupat janë aq të dëmtuar nga plagët sa nuk mund t’i identifikojmë fytyrat e tyre”.

Një i afërm tjetër, Emal Ahmadi, tha për BBC-në se ishte vajza e tij dyvjeçare që u vra në sulm.

Ahmadi tha se ai dhe të tjerët në familje kishin aplikuar për evakuim në Shtetet e Bashkuara dhe kishin qenë në pritje të një telefonate.

SHBA, shtoi Ahmadi, kishte bërë “një gabim shumë të madh”.

Sekretari i shtypit për Pentagonin, John Kirby tha se SHBA-të “nuk ishin në gjendje të kundërshtonin” raportet.

“Mos bëni gabim, asnjë ushtri në faqen e Tokës nuk punon më shumë për të shmangur viktimat civile sesa ushtria e Shteteve të Bashkuara, dhe askush nuk dëshiron të shohë fatalitete mes të pafajshmëve”, deklaroi Kirby.

Ai më pas mbrojti inteligjencën në lidhje me “atë që ne besuam se ishte një kërcënim shumë real, shumë specifik dhe shumë i afërt” kundër aeroportit ndërkombëtar të Kabulit Hamad Karzai nga IS-K (Provinca Khorasan e Shtetit Islamik), filiali afgan i IS-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore