Auto

Autopilot-i i makinave Tesla, mashtrohet


Një revistë me ndikim të konsumatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zbuluar se karakteristika Autopilot te automjetet Tesla mund të mashtrohet për të funksionuar pa pilot.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se inxhinierët e Consumer Reports kanë shqyrtuar pretendimet se karakteristika Autopilot te Tesla mund të funksionojë pa një shofer të pranishëm.

Përfundimi doli prej një testimi të kryer te Modeli Y në një pistë të mbyllur çka nxori në pah se sistemi mund të “mashtrohej lehtë”.

Testimi vjen disa ditë pas një përplasjeje fatale të Tesla-s në Texas ku policia ka besimin se askush në makinë nuk ka qenë në vendin e shoferit.

Për karakteristikën Autopilot, kompania thotë se përbën një sistem të përparuar të ndihmës së shoferit dhe “rrit sigurinë dhe rehatinë në timon”.

Mirëpo, ekipi i Consumer Reports ka thënë se ka arritur të mashtrojë në mënyrë të përsëritur makinën për ta drejtuar në pistën e provës pa askënd të pranishëm në vendin e shoferit.

“Në vlerësimin tonë, sistemi jo vetëm që dështoi të sigurohej që shoferi po i kushtonte vëmendje, por gjithashtu nuk mund të dallonte nëse kishte ndonjë shofer atje”, ka deklaruar Jake Fisher, drejtori i testimit automatik te Consumer Reports.

Ekipi ka shtuar se “ishte pak e frikshme kur kuptuam se sa e lehtë ishte të mposhtim masat mbrojtëse, të cilat ne provuam se ishin qartë të pamjaftueshme”.

Ndërkohë që në faqen e Tesla-s thuhet se sistemi Autopilot kërkon një “drejtues plotësisht të vëmendshëm” dhe përdorimi i sistemit nuk e bën makinën autonome.

Dhe disa nga kërkesat e sigurisë përfshijnë mbajtjen e duarve të shoferit në timon, vendosjen e rripit të sigurimit dhe ndalimin e hapjes së dyerve.

Lidhur me aksidentin, dy burra u vranë pasi makina Tesla u përplas me një pemë në Texas dhe mori flakë.

Viktimat u gjetën në sediljen e pasagjerit dhe në sediljen e pasme të automjetit, çka nxiti policinë të besonte se askush nuk ishte në vendin e shoferit.

Mirëpo, shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, e mohon problemin në një postim të tij në platformën Twitter duke thënë se “regjistrat e të dhënave të rikuperuara deri më tani tregojnë se Autopilot-i nuk ishte i aktivizuar”.

Ai ka vazhduar duke thënë se “për më tepër, Autopilot-i standard do të kërkonte që linjat e korsisë të ndizeshin, gjë që kjo rrugë nuk i kishte”.

Nga ana tjetër, dy senatorë demokratë i kanë dërguar një letër Administratës Kombëtare të Sigurisë së Trafikut të Rrugëve duke kërkuar hetimin e aksidentit fatal të Tesla-s në Texas.

Ata kërkuan edhe një raport që përshkruan mënyrat e parandalimit të aksidenteve në të ardhmen.

Kjo ka bërë që autoriteti të hapë 28 hetime që përfshijnë aksidente të automjeteve Tesla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore