Lajme

Austin thotë se s’ka kohë për neutralitet, Gallant e falënderon për dërgesën e dytë të municioneve


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin thotë se tani nuk është koha për të ekuivokuar mizoritë.

“Kjo nuk është koha për neutralitet, apo për ekuivalencë të rreme, apo për justifikime për të pafalshmen”, shprehu Austin në një deklaratë për shtyp së bashku me homologun e tij izraelit Yoav Gallant në Tel Aviv.

“Nuk ka asnjë justifikim për terrorizmin. Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për këtë tërbim nga Hamasi”, shton Austin.

Austin thotë se “kushdo që dëshiron paqe dhe siguri të qëndrueshme për këtë rajon duhet të dënojë dhe izolojë Hamasin”, duke shtuar se “Hamasi nuk flet në emër të popullit palestinez, apo shpresave të tij legjitime për dinjitet, siguri, shtet dhe paqe përkrah Izraelit”.

Shefi i Mbrojtjes amerikane thotë se aktiviteti i Hamasit – “i etur për gjak, fanatik” – i kujton atij grupin terrorist ISIS: “Hamasi nuk ka asgjë për të ofruar, përveç fanatizmit dhe vdekjes”.

Në një kërcënim jo dhe aq të mbuluar për Hezbollahu-n në Liban, Austin thotë se “çdo vend, ose çdo grup apo kushdo që përpiqet të përfitojë nga kjo mizori… ne kemi vetëm një fjalë: Mos”.

Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant njoftoi nga ana tjetër se një aeroplan i dytë po mbërrin sot në Izrael duke transportuar municione për IDF-në.

“Zoti Sekretar, kur thatë se qëndroni me Izraelin, u shfaqët”, thotë Gallant në një deklaratë të përbashkët për shtyp së bashku me homologun e tij amerikan.

“Ju qëndroni këtu me ne, zoti Sekretar, na keni treguar se çfarë do të thotë të jesh aleat, mik, vëlla”, shtoi Gallant.

“Bashkëpunimi në mbrojtje dhe mbështetja e SHBA-ve në Pentagon, në Shtëpinë e Bardhë, Kongres, sigurojnë lirinë e operimit dhe fuqizojnë aftësitë tona”, nënvizoi zyrtari izraelit.

Sot, “ne do të marrim avionin e dytë që transporton municione thelbësore për IDF-në”, vërejti Gallant. “Shpërndarja e aseteve amerikane në tokë, në ajër dhe në det dërgon një mesazh të fortë për partnerët dhe armiqtë tanë në rajon”.

“Kjo është një luftë kundër lirisë dhe vlerave tona të përbashkëta dhe ne jemi në vijën e parë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë dhe do ta fitojmë këtë luftë”, ravijëzoi ai në përmbyllje.

Breshëri masive me raketa drejt Izraelit, pasi IDF-ja u tha banorëve të Gazës të evakuohen

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore