Shqipëria

Auditim teknik të objekteve mbi 50-vjeçare, jo shembje banesash


Enkelejda Muça, zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka deklaruar se nuk ka asnjë vendim për shembje banesash të 50 viteve më parë.

Por se qeveria po harton një projektvendim për auditimin teknik për të gjitha objektet që kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar.

Në një deklaratë së bashku me drejtorin e Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli, ajo u shpreh se ky proces do të kryhet në mbështetje të interesit më të lartë të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

“Ky projekt nuk ka të bëjë me shembje banesash por ka qëllim të rregullojë procedurat ligjore për një auditim të gjendjes së tyre fizike dhe të qëndrueshmërisë së tyre fizike. Bëhet fjalë për një proces tërësisht ligjor të nisur pas tërmetit të vitit 2019”, ka theksuar ajo.

Po ashtu ajo ka vënë në dukje se projektvendimi është ende në fazën e konsultimit.

Ngjashëm me të, edhe kreu i Institutit të Ndërtimit siguroi se nuk do të ketë prishje banesash, por evidentim të gjendjes së tyre.

“Auditi ka për qëllim evidentimin e gjendjes së objekteve. Nëse objekti nuk garanton jetën e qytetarëve, shteti ka detyrimin për të ndërhyrë dhe sjellë atë në normat e sigurisë. Në rastin konkret normat sizmike”, ka thënë Shkreli.

Ai ka shtuar se qeveria e ka marrë këtë angazhim dy muaj pas tërmetit të vitit 2019, kur deklaroi se me përfundimin e procesit të rindërtimit do të nisë procesi i auditit, që të minimizohet dhe të evitohen mundësisht humbjet jetësore dhe dëmet material.

“Jemi në një proces ku aktet nënligjore po përfundohen. Me përfundimin e procesit të rindërtimit që pritet të përmbyllet brenda këtij viti, i hapet rrugë nisjes së auditimit që i shërben rritjes së cilësisë së stokut të banesave”, ka thënë ai.

Dhe se nuk dihen se në çfarë gjendje fizike ndodhen.

“Ka mjaft objekte në Tiranë dhe ne si IN kemi mjaft ankesa të njerëzve, që nuk kanë siguri si rezultat i ndërhyrjeve në katet e para të banesave të paautorizuara”, ka vijuar ai

Sipas tij, ky proces është i panjohur për një pjesë të administratës.

Gjithashtu ka shtuar se procesi do të udhëhiqet nga qeverisja vendore dhe do të merret me ekspertimin, ndërsa Instituti i Ndërtimit do të merret me certifikimin e këtij auditimi

“Jemi të vonuar në këtë proces. Procesi duhet të kishte nisur më parë, kur kanë filluar shenjat e degradimit, gjë të cilën Evropa e bën rregullisht. Ne kemi një stok që duhet marrë i gjithi në konsideratë“, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, ai ka shtuar se në fazën e dytë do të implementohet mirëmbajtja nga ana e bashkisë, e rregulluar kjo me akte normative ligjore, ku përgjegjës do të bëhen administratorët e pallateve.

“Ky nuk është një proces, i cili ka për qëllim shembjen e objekteve”, ka ravijëzuar Shkreli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore