Teknologji

Atletet me flakë të Buffalo-s


Marka e këpucëve, Buffalo London, ka krijuar imazhe virtuale të atleteve të mbuluara nga flakët në bashkëpunim me studjon digjitale të modës, The Fabricant.

Faqja e dizajnit, Dezeen, shkruan se dizajni i krijuar i quajtur Classic BurningFor është bazuar në skanimin 3D të atleteve Classic Low të markës të cilat janë popullarizuar për herë të parë nga Spice Girls në vitet 90.

Nëpërmjet software-it të animacionit, CGI,  është mundësuar krijimi i versionir digjital i cili është i mbuluar nga flakët me dominim të ngjyrës së kuqe dhe ngjyrës blu.

Buffalo London, ka bërë me dije se është marka e parë e cila vendos që atletet virtuale të jenë të disponueshme për blerje krahas produkteve të tjera fizike në faqen e saj të internetit.

Classic BurningFor mund të ‘blihen’ përmes opsionit Dress-X i vënë në dispozicion posaçërisht për modën digjitale në faqen zyrtare të Buffalo-s.

Mjafton që blerësit të dërgojnë një foto në të cilën dëshirojnë të kenë veshur atletet digjitale të mbuluara në flakë dhe Dress-X përmes programit 3D i vesh atletet në mënyrë digjitale

Ata mund të zgjedhin ndërmjet blerjes së fotos statike me atletet e veshura në mënyrë të palëvizshme ose mund të përfitojnë nga opsioni video në të cilin flakët që mbulojnë atletet janë të lëvizshme. Versioni i videos mundësohet me dyfishimin e çmimit krahasuar me fotot.

Trendi i veshjeve digjitale ka qenë tejet i përhapur gjatë periudhës së coronavirus-it. “Mundësitë e kufizuara për të veshur rroba gjatë pandemisë rriti interesin e konsumatorëve për modën digjitale. Një mori markash me emër krijuan versione të veshjeve të tyre të krijuara në kompjuter”, shprehet Dezeen.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore