Lajme

Atiq s’mendon dorëheqjen edhe nëse dështon peticioni në Veri: Është absurde  


Erden Atiq

Për Erden Atiq, kryetarin e Mitrovicës së Veriut dorëheqja nuk është opsion, ani pse dështon peticioni për largimin nga detyra e kryetarëve të komunave në Veri.

Sipas Atiq është absurde dhënia e dorëheqje meqë sipas tij një gjë e tillë do të thotë ikja nga përgjegjësia edhe në rast të dështimit të peticionit i cili u hartua tashmë në formën e një Udhëzimi Administrativ dhe kërkon që rreth 20 për qind e votuesve të një komune të kërkojnë largimin e kryetarit,

“Ne kur kemi kandiduar për kryetar komune, ne kemi pasur parasysh edhe rrethanat, edhe pozicionin për të cilin jemi duke synuar. Tash ku është logjika e kësaj të heqim dorë, edhe me i dërgu komunat prapë në zgjedhje, nëse nuk ka një përgatitje reale në terren, nëse nuk ka një gatishmëri prej qytetarëve të komunave përkatëse. Ajo veç do ta përsëriste situatën prej fillimit”, deklaroi ai për Tëvë 1.

Dorëheqjen si opsion aktualisht nuk po e konsiderojnë as kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.

Largimi i kryetarëve në katër komunat veriore përmes një peticioni u pa me skepticizëm si nga aktorët vendor edhe nga ndërkombëtarët të cilët kërkojnë që kryetarët të largohen vetiu dhe vullnetarisht.

Instituti Demokratik i Kosovës apo siç njihet ndryshe si KDI theksoi se Udhëzimi Administrativ, i cili po përpilohet nga një grup punues në kuadër të Ministrisë së Administratës dhe Pushtetit Lokal, për të krijuar shtratin ligjor për përdorimin e të drejtës së peticionit përmes së cilës mund të shpallen zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës përveç se është në kundërshtim me ligjin, është i pamjaftueshëm për të mundësuar largimin e kryetarëve të komunave.

KDI gjithashtu vlerësoi se drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale.

Udhëzimi Administrativ beson KDI kundërligjshëm përcakton një afat prej 30 ditësh për mbledhjen e nënshkrimeve, gjë që ua kufizon qytetarëve vullnetin për ushtrimin e një të drejte ligjore, si dhe paradoksalisht përcakton afat shtesë për plotësimin e kërkesës me nënshkrime të reja, nëse nuk arrihet kriteri prej 20 për qind të votuesve të regjistruar.

Për zhvillimin adekuat të këtij procesi, beson organizata jo-qeveritare, është i domosdoshëm miratimi i legjislacionit përkatës sekondar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Kësisoj KDI ka konsideruar se dorëheqjet e kryetarëve aktualë të komunave veriore, si zgjidhjen më efikase për tejkalimin e situatës dhe zgjedhjen e institucioneve të reja legjitime.

Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila udhëhiqet nga Elbert Krasniqi, ka marrë vendim që të nisen procedurat për largimin dhe shkarkimin e katër kryetarëve shqiptarë në komunat Veriore.

Sipas vendimit të MAPL-it, është hartuar një Grup Punues që do të hartojë një Udhëzim Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët e katër komunave në Veri të Kosovës, të zgjedhur më 23 prill.

Por, Albanian Post kishte kuptuar se kjo procedurë u ndoq pasi nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) u refuzua krijimi i një procedure të tillë meqë është konstatuar se nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore.

Nga KQZ i kanë thënë qeverisë se duhet ligj i veçantë për referendumin që të bëhet e munduar ndjekja e kësaj procedure.

Por, përkundër se pa bazë ligjore, Qeveria ka vazhduar përmes ministrisë duke marrë vendim që të krijojë Grupin Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave që përmes një iniciative do të largohen kryetarët.

Sipas vendimit të MAPL-it, ky Grup Punues është përgjegjës për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve.

KQZ e refuzoi për mungesë të bazës ligjore, Qeveria përmes ministrisë merr vendim për largimin e kryetarëve nga Veriu

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore