Sport

Atalanta dhe golat në minutat shtesë të çdo pjese i ngrijnë buzëqeshjen Lazio-s


Atalanta ka arritur të barazojë ndeshjen përballë Lazio-s në sekondat e fundit, falë golit te Marten de Roon-it. Në “Gewiss Stadium”, lacialët kaluan dy herë të parët në avantazh, por në fund, rezultati përfundimtar nuk shkoi më shumë se 2-2.

Skuadrat u përballën në javën e 11 në Serie A. Berat Gjimshi ishte mungesa e madhe për Atalanta-n dhe në vend të tij, në linjën e mbrojtjes, Gian Piero Gasperini kishte vendosur De Roon-in. Holandezi përveçse bëri një ndeshje të madhe, arriti dhe të shënonte.

Goli i parë i takimit u shënua nga spanjolli Pedro, në minutën e 18.  Por, kur pjesa e parë po shkonte drejt mbylljes, Duvan Zapata do të barazonte shifrat në 1-1. Pikërisht në minutën 45+1.

Lazio do të shënonte golin e avantazhit në minutën 74. Aksioni i kundërsulmit lacial filloi nga këmbët e Pedro-s dhe u mbyll nga ato të kapitenit Immobile.

Por edhe këtë herë, Atalanta shënon në shtesë për të barazuar takimin në 2-2. De Roon e dërgon topin në rrjetë në minutën e 90+4, pas asist të Merih Demiral-it.

Skuadrat ndajnë nga një pikë. Pas kësaj ndeshje, Atalanta shkon në kuotën e 19 pikëve dhe në vendin e pestë. Lazio shkon në kuotën e 18 pikëve në vendin e gjashtë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore