Lajme

“Associated Press” raporton për zgjedhjen e Osmanit si presidente


“Të dielën ligjvënësit në Kosovë e zgjodhën presidenten e re të vendit, e cila u betua për një mandat pesë vjeçar dhe është udhëheqësja e dytë femër e kombit Ballkanik në periudhën e pasluftës”, raportohet në agjencinë amerikane e lajmeve Associated Press.

Parlamenti me 120 vende, i cili u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme për dy ditë, dha 71 vota për Vjosa Osmani-Sadriun, në raundin e tretë të votimit.

Në këtë raportim thuhet se Osmani është presidentja e gjashtë e Kosovës, e cila me mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje ajo fitoi zgjedhjet e parakohshme të Kosovës në 14 shkurt me një rezultat të madh.

Subjekti politik LVV tani mban tre postet kryesore të vendit, atë të presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit të Kosovës.

“Si presidente, ajo do të ketë kryesisht një post ceremonial si kreu i shtetit. Por gjithashtu ka një pozicion drejtues në politikën e jashtme dhe është komandante e forcave të armatosura”, vijon shkrimi.

Një ndër prioritetet me përparësi në listën e saj “është rifillimi i bisedimeve të normalizimit me Serbinë”.

Ndërkohë, pas zgjedhjes presidente, Osmani ka mbajtur fjalim para deputetëve të Kuvendit. Zgjedhjen e saj presidente e ka quajtur “dita e Kosovës” dhe duke iu drejtuar qytetarëve u ka thënë se “është dita juaj”.

“Vullneti juaj po plotësohet”, ka shtuar presidentja.

“Sot po e përmbyllim parathënien e historisë e re politike të Kosovës. Sot Kosova zgjodhi edhe njëherë një presidente grua dhe për të gjitha vajzat e vogla shpresoj që ta mbani mend këtë që po e them tani. Vajzat e kanë vendin aty ku ato vetë dëshirojnë dhe ëndërrojnë”, shtoi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore