Shqipëria

“Asgjë nuk kanë bërë dhe nuk do të bëjnë për arsimin”


“Asgjë nuk kanë bërë dhe nuk kanë ndërmend të bëjnë për arsimin”.

Kjo ishte deklarata e deputetes së Partisë Demokratike, Ina Zhupa, fill pas takimit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me mësuesit për prezantimin e “Projekt-Buxhetit për vitin 2022”.

Zhupa vijon duke iu kundërvënë fjalëve të Kryeministrit, se paga e mësuesve këto tetë vite është rritur “vetëm 10 mijë lek te vjetra”.

“Flasin për arsimin sikur kanë ardhur sot në pushtet ndërkohë në tetë vjet vetëm e kanë shkatërruar atë”, shkruan Zhupa në median sociale Facebook.

Ndër të tjera, Zhupa thekson se sa i përket transportit dhe teksteve shkollore “nuk kanë mbajtur asnjë premtim”.

Më herët së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, prezantuan “Projekt-Buxheti për vitin 2022 në arsim”.

Sipas Ramës do të vijojë rritja e pagës deri në 32% dhe për më tepër, “ të realizojmë objektivin e rritjes deri në 40% të tyre”.

Kryeministri u shpreh i prerë se, “është hedhur bazë e fortë për mbrojtjen e mësuesve nga ndërhyrjet e jashtme, nga politika, forca e ryshfetit – që ka qenë një konstante e vazhdueshme”.

Kushi e mbylli fjalën te mbështetja e palëkundur për mësuesit.

“Ne do të vazhdojmë misionin tonë dhe do të korrigjojmë dhe do të përmirësojmë punën tonë. Bashkë dhe me shumë dashuri për nxënësit tanë’, e përmbylli ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore