Lajme

Arsenijeviç për vizitën e zyrtarëve të Listës Serbe në ShBA: S’kanë besueshmëri


Aleksandër Arsenijeviç

Vizita e zyrtarëve të Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – përkatësisht nënkryetarit të kësaj partie, Igor Simiç, dhe anëtarit të kryesisë Slavko Simiç, në Uashington, sipas kryetarit të “Mbijetesës Serbe”, Aleksandër Arsenijeviç, nuk paraqet vullnetin e qytetarëve serbë të Kosovës.

“Dyshja Simiç nuk ka më asnjë besueshmëri në popull”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se ai dhe partia e tij “do të thërrasim për një bojkot të zgjedhjeve pa kushte”.

“Zgjedhjet pa kushte nuk janë zgjidhje por pasojë!”, përfundoi ai.

Ndryshe, një delegacion nga Lista Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – në përbërje nga nënkryetari Igor Simiç dhe anëtari i kryesisë Slavko Simiç, të enjten do të nisin një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Gjatë qëndrimit në SHBA, delegacioni i Listës Serbe do të ketë takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit, si dhe me përfaqësues të grupit serb në Kongresin Amerikan”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Zyrtarët e Listës Serbe të enjten në Uashington, paralajmërojnë “takime të rëndësishme” në Departamentin e Shtetit

Ndërsa, Arsenijeviç ka thënë të martën se në dy muajt e fundit nga Veriu i Kosovës janë larguar “më shumë se 1000 serbë” dhe se tani edhe nxënësit po i lënë “masivisht” shkollat.

Sipas tij, arsyeja kryesore për largimin e serbëve nga Kosova “është kërcënimi i autoriteteve të Prishtinës për të planifikuar arrestimin e 45 serbëve të tjerë që morën pjesë në protesta për shkak të pushtimit të objekteve komunale nga kryetari shqiptar”, duke iu referuar vendimit të qeverisë së Kosovës me 26 maj për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prill.

“Njerëzit janë shumë të frikësuar sepse qeveria e Kosovës njoftoi arrestimin e 45 serbëve të tjerë që morën pjesë në protestat e fundit. Çdokush mund të arrestohet dhe kjo është arsyeja pse shumë njerëz nga Zubin Potok, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi vendosin të shpërngulen në Serbinë qendrore”, pretendoi Arsenijeviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore