Kosova

Pretendimi i Arsenijeviç-it: Serbët në Veri po i tërheqin masivisht fëmijët nga shkollat


Aleksandër Arsenijeviç

Kryetari i Iniciativës “Mbijetesa Serbe”, Aleksandër Arsenijeviç, ka thënë këtë të marte se në dy muajt e fundit nga Veriu i Kosovës janë larguar “më shumë se 1000 serbë” dhe se tani edhe nxënësit po i lënë “masivisht” shkollat.

Sipas tij, arsyeja kryesore për largimin e serbëve nga Kosova “është kërcënimi i autoriteteve të Prishtinës për të planifikuar arrestimin e 45 serbëve të tjerë që morën pjesë në protesta për shkak të pushtimit të objekteve komunale nga kryetari shqiptar”, duke iu referuar vendimit të qeverisë së Kosovës me 26 maj për t’i instaluar në zyrat e tyre kryetarët shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e 23 prill.

“Njerëzit janë shumë të frikësuar sepse qeveria e Kosovës njoftoi arrestimin e 45 serbëve të tjerë që morën pjesë në protestat e fundit. Çdokush mund të arrestohet dhe kjo është arsyeja pse shumë njerëz nga Zubin Potok, Mitrovica e Veriut, Zveçani dhe Leposaviqi vendosin të shpërngulen në Serbinë qendrore”, pretendoi Arsenijeviç, transmeton media opozitare serbe “Danas”.

Ndërkaq, ai ka theksuar se rreth “4 mijë serbë janë dashur që të largohen nga institucionet e Kosovës vitin e kaluar me urdhër të Listës Serbe”, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit, duke shtuar se tani ata nuk janë të lidhur me një vend pune në Kosovë.

“Ata marrin rroga nga buxheti i Serbisë, kështu që nuk duhet të jenë në Kosovë. Përveç nëpunësve civilë, nga Veriu i Kosovës po largohen edhe shumë zejtarë, profesorë dhe mjekë”, pretendoi ai.

Këtë vit, pohon politikani serb nga Veriu, “kanë mbaruar shkollat ​​fillore dhe të mesme 90 nxënës”.

“Shumë nxënës tashmë po largohen nga shkollat ​​e mesme dhe fillore në veri nga prindërit e tyre. Deri më tani, sipas informatave që kemi në dispozicion, më shumë se 40 studentë janë dëbuar nga Leposaviqi, dhe mbi 50 nga Mitrovica e Veriut dhe Zveçani. Me gjithë mirëkuptimin dhe respektin, u bëj thirrje prindërve që të mos e bëjnë këtë dhe së bashku t’i kalojmë këto vështirësi”, potencoi Arsenijeviç.

Ndryshe, të hënën duke debatuar në Parlamentin e Serbisë, deputetja opozitare Tatjana Milivojeviç, ka deklaruar se rreth 2 mijë serbë janë larguar nga Kosova vetëm në muajin e fundit.

“Në muajin e fundit nga Kosova janë larguar 2000 serbë”, tha ajo, derisa ishte në replikë me Marina Ragush, deputete e partisë në pushtet.

Ajo tha se informacioni i saj është i sigurt dhe se “qytetarët duhet ta dinë”.

Akuzoi edhe Vuçiç-in se po e udhëheqë Serbinë “në një mënyrë të çmendur”, duke aluduar në tensionet e vazhdueshme në Serbi, përfshirë edhe situatën me Kosovën.

Milivojeviç nuk ka shpalosur se nga i ka shifrat për largimin e 2 mijë serbëve.

Institucionet në Kosovë nuk kanë konfirmuar një numër të tillë largimesh.

Tatjana Milivojeviç

Kosova vazhdimisht bëhet temë në parlamentin serb, veçanërisht kohëve të fundit, kur shpërthyen tensionet, që kulmuan edhe me protesta të dhunshme në fund të muajit maj, pas zgjedhjeve të mbajtura në katër komuna në Veri dhe bojkotimit nga serbët.

Kolegë të Milivojeviç gjithashtu kanë folur për situatën me Partinë Progresiste në Serbi, që deri vonë udhëhiqej nga presidenti aktual, Aleksandër Vuçiç.

“Abdikoi edhe faraoni Vuçiç nga kreu i partisë, nuk i duheni më ju, ‘bots’ dhe shushunja që ushqeheni me paratë e qytetarëve të Serbisë. Po iu bie rejtingu, mbulesa e SNS-së padyshim po bie. Kështu thonë qytetarët e Serbisë, ju ka ardhur fundi”, tha një nga deputetet opozitar, në debatin që po vazhdon në parlamentin serb.

“2 mijë serbë janë larguar nga Kosova muajin e fundit, faraoni Vuçiç abdikoi”, deputetët opozitarë në parlamentin serb kritika pushtetit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore