Përballje

Arsenal-i ngec ndaj West Ham-it, lëshon epërsinë prej dy golave


Lufta për titull në Premier Leauge tani është më hapur, pasi që Arsenal-i ka ngecur në udhëtim te West Ham United-i, duke barazuar me rezultat 2:2 në ndeshjen e vlefshme të javës së 31-të në elitën e futbollit anglez.

Arsenal-i e nisi shumë mirë këtë takim, teksa në 10 minutat e para e krijuan një epërsi prej dy golash.

Me një aksion të bukur, Gabriel Jesus shënoi për skuadrën e Mikel Arteta-s, pas asistimit të mbrojtësit, Ben White.

Nuk vonoi shumë dhe Arsenal-i e shënoi edhe golin e dytë pas tre minutash, kur Martin Odegaard realizoi pas harkimit të Gabriel Martinelli-t.

Në minutën e 33-të, West Ham-i i ngushtoi shifrat, kur Mohamed Said Benrahma realizoi nga pika e bardhë e penalltisë.

Pjesa e parë përfundoi me shifrat 1:2, teksa shtatë minuta pas fillimit të fraksionit të dytë, mysafirët e patën mundësinë ta shënojnë edhe golin e tretë, por Bukayo Saka nuk u tregua i saktë nga penalltia.

Dhe, kur nuk shënon e pëson. Pas vetëm tre minutash nga ky rast, vendasit arritën ta barazojnë rezultatin me golin e shënuar nga Jarrod Bowen.

Me këtë barazim, skuadra e Arsenal-it tani ka 74 pikë në vendin e parë, katër me shumë se ndjekësi Manchester City, por këta të fundit e kanë një ndeshje më shumë për ta zhvilluar.

Ndeshjen e radhës skuadra e Arteta-s do ta luajë ndaj Southampton-it, ndërsa pas kësaj do të luajë në udhëtim te Manchester City.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore