Lajme

Arrestohet Rrustem Mustafa – Remi


Rrustem Mustafa

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, është arrestuar të martën e 12 shtatorit në Prishtinë, ka mësuar Albanian Post nga burime brenda familjes.

Mustafa është dërguar në bazën e Misionit të Bashkimit Evropian (BE) për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) në Fushë Kosovë, vetëm disa orë pas bastisjes së hetueseve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në banesën e familjarëve të heronjve të luftës, Fahri dhe Bahri Fazliu, në Prishtinë.

Përkundër se ende nuk dihen arsyet e arrestimit të ish-deputetit të Partisë Demorkatike të Kosovës (PDK), besohet se arrestimi i tij vjen mbi bazën e marrjes së disa dëshmive shtesë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ku po gjykohen ish-eprorët e UÇK-së për krime të pretenduara lufte.

Albanian Post ka provuar gjithashtu të kontaktojë me Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë të Holandës lidhur me arrestimin e komandant Remit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Mustafa ka qenë dëshmitari i 13-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, i cili, përveç përshkrimit të ditëve të para në UÇK, ka dëshmuar për pozitën e tij, komunikimin me shtabin e përgjithshëm dhe mënyrë e funksionimit të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore