Lajme

Arrestohet oficeri italian, i dha Rusisë dokumente NATO “të klasifikuara”


Një oficer i marinës italiane (një kapiten fregate) është arrestuar mbrëmjen e të martës 30 mars, nga karabinierët e Ros-it (Grupimi i operacioneve speciale).

Ai u arrestua së bashku me një oficer të forcave të armatosura ruse.

Të dy akuzohen për krime të rënda në lidhje me spiunazhin dhe sigurinë e shtetit.

Ndërhyrja u krye gjatë zhvillimit të një takimi klandestin midis të dyve. Këta, u kapën në befasi ndërsa oficeri italian po i dorëzonte dokumente të “klasifikuara” tjetrit në këmbim të parave.

Kapiteni i fregatës është në gjendje arresti, kurse oficeri rus do të dëbohet.

Oficeri rus, i cili ishte me detyrë në ambasadën ruse në Itali, u përjashtua me urdhër të Ministrisë së Jashtme italiane. Eprori i tij i drejtpërdrejtë, gjithashtu do të dëbohet nga Italia bashkë me të. Kjo për arsye sepse statusi i diplomatit nuk lejon që ata të arrestohen.

Farnesina (MJ) thirri menjëherë ambasadorin rus, Sergej Razov, në ministri, sipas udhëzimeve të ministrit Luigi Di Maio. Kjo u njoftua nga Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Elisabetta Belloni.

Nga ana e saj, ambasada e Moskës në Romë shprehu në një shënim shpresëdhënës, se arrestimi i diplomatit rus nuk do të kompromentojë marrëdhëniet midis dy shteteve.

“Tani për tani, ne e konsiderojmë moment të papërshtatshëm për të komentuar mbi atë që ka ndodhur,” shtuan burimet e ambasadës.

Spiunazh gjithashtu kundër NATO-s

Kapiteni i fregatës së Marinës i akuzuar për shitjen e dokumenteve konfidenciale është në burg. Në kohën e shkëmbimit të kartave konfidenciale ai kish rënë dakord për një pagesë prej 5000 eurosh.

Ekzaminimi i materialit të sekuestruar në banesën e tij ka treguar se, përveç dosjeve italiane, ai duhet të ketë kaluar dokumente shumë sekrete të NATO-s. Sakaq, duke veënë kështu jo vetëm sigurinë kombëtare në rrezik, por edhe atë të vendeve të tjera, anëtare të |NATO-s.

Raporti i parë për marrëdhëniet midis të dyve erdhi disa muaj më parë nga Aisi  (agjencia e brendshme e sigurisë). Që nga ai moment filluan procedurat për kontrollimin e lëvizjeve të të dyve.

Operacioni i Ros-it

Kur u sigurua kalimi i parave dhe mbi të gjitha gjenerimi i provave të mjaftueshme të spiunazhit, operacioni i ROS-it hyri në zbatim. Gjë që çoi në arrestimin e të dyve.

Nuk është hera e parë që marrëdhëniet midis italianëve dhe rusëve ndërlidhen për shitjen e materialeve konfidenciale. Deri më tani kjo kishte ndodhur kryesisht për çështje industriale.

Përfshirja e një anëtari të Marinës hap një skenar shqetësues mbi të cilin Ministria e Mbrojtjes gjithashtu do të duhet të fillojë kontrollet.

Di Maio: “Falë inteligjencës”

Ministri i Jashtëm italia, Luigi Di Maio, postoi një mesazh në Facebook:

“Me rastin e thirrjes së ambasadorit rus në Itali, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, ne i dorëzuam këtij të fundit notë-protestën e prerë të qeverisë italiane dhe njoftuam dëbimin e menjëhershëm të dy zyrtarëve rusë të përfshirë në këtë çështje shumë serioze. Falënderoj inteligjencën tonë dhe të gjithë aparatet shtetërore që punojnë çdo ditë për sigurinë e vendit tonë”.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore