Lajme

Arrestohet një 33 vjeçare e dyshuar për vjedhje në banesën e ministres Rozeta Hajdari


Foto: Albanian Post.

E dyshuara 33 vjeçare është arrestuar nga Policia e Kosovës, nën dyshimet se ka kryer veprën penale vjedhje e rëndë, në banesën e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë, është arrestuar një person i dyshuar për një rast vjedhje e rëndë që është raportuar me datën 01.10.2023. Puna e hetuesve policor, është finalizuar sot, ku pas marrjes së disa veprimeve operative kanë arrit që të identifikojnë dhe të arrestojnë të dyshuarën: – N.K. femër, 33 vjeçare, shtetase e Republikës së Kosovës”.

“E dyshuara me vendim prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit e stacionit policor po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin”, ka thënë Ahmeti për AP.

Vjedhja dyshohet se ka ndodhur të dielën e 1 tetorit.

Sipas raportimeve që janë bërë nga mediat në Prishtinë të hënën,  personi i dyshuar ishte futur në banesën e ministres dhe ua vuri syrin gjësendeve me vlerë e dokumenteve të Hajdarit.

Hajni arriti të vjedhë stoli në vlerë prej 2 mijë e 500 eurove, dokumente personale që përfshijnë kartela bankare dhe ato të Ministrisë, Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.

Ministrja akoma s’ka dalur me ndonjë sqarim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore