Shqipëria

Arrestohet në Spanjë i shumëkërkuari shqiptar, qarkullonte me dokumente false


Është finalizuar një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia spanjolle e kapi dhe e arrestoi atë me qëllim ekstradimi. Bëhet fjalë për shtetasin e shumëkërkuar G. M., 40 vjeç, nga Shkodra.

Referuar Policisë së Shtetit, operacioni policor i koduar “Seville” u zhvillua nga Policia spanjolle, në bashkëpunim me Policinë shqiptare.

Kështu, u bë e mundur kapja në Spanjë dhe arrestimi me qëllim ekstradimi, i një shtetasi shqiptar shumë të kërkuar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime kundër personit.

Ai qarkullonte në Spanjë, me dokumente të falsifikuara.

Në momentin e kapjes nga Policia, ai mbante një kartë identiteti bullgare të falsifikuar, me gjeneralitete R. I., dhe një sasi lënde narkotike, të cilat janë sekuestruar nga Policia.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Këtë, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”.

Sakaq, ai dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2020, në Kamzë, Tiranë, ka marrë peng shtetasin J. P.

Ndërkohë Interpol Tirana po punon për ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore