Shqipëria

Me urdhër të SPAK, arrestohet Jorgo Goro


Kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është arrestuar këtë të shtunë të 23 marsit.

Arrestimi vjen me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), dhe ka sjellë shoqërimin e katër të tjerëve.

Sipas informacioneve paraprake, Goro u arrestua në Dhërmi nga agjentët e SPAK, teksa po qëndronte në një kafe.

Ai prej muajsh ndodhej në hetim pasuror nga SPAK, pas një kallëzimi që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës ka bërë ndaj tij vitin e shkuar.

Goro vijon të jetë në detyrë, për shkak se Fredi Beleri nuk është betuar ende, edhe pse fitoi në zgjedhjet e 14 majit.

Beleri ka dorëzuar më parë SPAK në cilësinë e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë një kallëzim penal për abuzimet e konstatuara nga KLSH në vitet 2019 -2021.

Periudhë kjo, kur ky institucion drejtohej nga Jorgo Goro.

Më 17 janar të këtij viti Goro dëshmoi për rreth tre orë për kallëzimin e bërë nga Beleri.

Ky i fundit e akuzon kryetarin në detyrë se ka trajtësuar një pronë në favor të të tretëve, pronë e cila, sipas Belerit pasi është blerë, është marrë statusi i investitorit strategjik nga biznesmeni Artan Gaçi, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe bashkëshorti i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

Sipas Belerit, “të gjitha veprimet e kundërligjshme janë të kryera nga Kryetari i Bashkisë Himarë, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlore në bashkëpunim me njëri-tjetrin”

“Po ashtu edhe shtetasja Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, me mosveprimet e saj, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë. Kjo shtetase nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj”.

Në kallëzim shkruhet se, bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 5512 metra katrorë, të përfituar në mënyrë të parregullt nga Foto Pavllo Mehilli.

“Në AMTP në emër të Foto Pavllo Mehilli figuron e ndarë një parcelë. Në Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) nuk mund të ndahej dhe ndalohej shprehimisht në referim dhe kuptim të Ligjit 7501. Një ndarje e tillë është absolutisht e paligjshme, e pavërtetë dhe një nga provat se jemi përpara një AMTP-je të falsifikuar”, thuhet në kallëzim.

Aty sqarohet se Goro e ka nënshkruar këtë planvendosje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore