Lajme

Arnold Schwarzenegger i drejtohet Vladimir Putinit: Ndaloje këtë luftë


Ish-guvernatori i Kalifornisë, njëherësh aktori i njohur, Arnold Schwarzenegger i bëri një thirrje të drejtpërdrejtë popullit dhe ushtarëve rusë, duke detajuar gënjeshtrat pas propagandës së Kremlinit për luftën kundër Ukrainës.

“Jetët, gjymtyrët dhe e ardhmja juaj po sakrifikohen për një luftë të pakuptimtë të dënuar nga e gjithë bota”, tha Schwarzenegger në një video të publikuar në mediat sociale.

Arnold postoi një video 9-minutëshe në të cilën ai lavdëroi ata që po mbajnë qëndrim kundër presidentit rus, duke thënë se – “Bota e ka parë trimërinë tuaj. Ne e dimë se ju keni vuajtur pasojat e guximit tuaj. Ju jeni arrestuar. Ju jeni burgosur dhe ju jeni rrahur. Ju jeni heronjtë e mi të rinj”.

Kremlini ka ndërmarrë veprime për të heshtur mospajtimet dhe raportimet kritike për pushtimin. Tani është e paligjshme ta quash konfliktin një “luftë” dhe Rusia ka lëvizur për të bllokuar aksesin në mediat sociale.

Arnold Schwarzenegger.

“Por rusët kanë pasur prej kohësh lidhje familjare me Ukrainën. Rreth 11 milionë rusë kanë familje në Ukrainë. Pra, çdo plumb që gjuan, qëllon një vëlla apo një motër. Çdo bombë ose çdo predhë që bie nuk bie mbi një armik, por mbi një shkollë, spital ose një shtëpi”, shtoi Schwarzenegger.

Dikur, Schwarzenegger filloi karrierën e tij si një peshëngritës i klasit botëror dhe ylli i “Terminator” thotë se dashuria e tij për Rusinë vetëm sa u rrit, përfshirë xhirimet e “Red Heat”, filmi i parë amerikan i filmuar në Sheshin e Kuq të Moskës.

Arnold Schwarzenegger në skenat e filmit “Red Heat”.

“Forca dhe zemra e popullit rus më kanë frymëzuar gjithmonë”, tha Schwarzenegger, duke e përshkruar veten si një “mik prej kohësh të popullit rus”.

Fjalimi i Arnold-it, erdhi pasi lufta në Ukrainë po vazhdon të zgjasë dhe trupat ruse po vazhdojnë të sulmojnë pa rreshtur – ushtarët dhe popullin civil ukrainas, përfshirë fëmijët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore