Shqipëria

Arjan Harxhi për Albanian Post: Vaksinimi i grupeve të riskut nis nga fillimi i muajit maj


Fushata e vaksinimit vijon me shifra të larta inokulimesh dhe të enjten e 29 prillit ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se është kapur kuota 450 mijë. Qeveria shqiptare mirëpret ende furnizime të vazhdueshme me vaksinat kineze: Sinovac, Pfizer apo AstraZeneca.

Për grupet e riskut, sipas shefit të Klinikës Ambulatore, Arjan Harxhi, i kontaktuar nga Albanian Post, duke filluar nga java e ardhshme dhe fillimi i muajit maj, do të fillojë planifikimi i grupeve të personave HIV pozitiv për të kryer vaksinimin e tyre për Covid-19.

“I gjithë procesi i vaksinimit do të asistohet prej një grupi vaksinuesish nga ISHP-ja, të cilët do të kryejnë vaksinimin në bazë të numrit të planifikuar”, u shpreh Harxhi.

Ai sqaroi se, për motive anonimati, vaksinimi i pacientëve do të kryhet në ambientet e Klinikës Ambulatore.

Sakaq, në një komunikim për informacion të detajuar, psikologia e Shoqatës së PJHIV, Bora Tase, për Albanian Post bëri me dije se Shoqata i ka nisur një kërkesë ISHP-së.

“Bazuar në qasjen e ofruar nga qeveria shqiptare, përmes mekanizmave të saj në ofrimin e vaksinimit për Covid-19, gjykuam se grupimi i personave HIV pozitiv në Shqipëri, i vlerësuar si grup me risk të moderuar, për shkak të imunitetit të kompromentuar, prej HIV-it, duhet të merret në konsideratë si grup prioritar për kryerjen e vaksinimit”, tha Tase.

“Përmes kësaj kërkese”, sipas saj, “ju drejtuam si institucionit, që është ngarkuar me caktimin dhe sugjerimin e prioritizimeve, dhe grupeve më të riskuara nga coronavirus-i”.

Tase shtoi se, bazuar në numrin e personave HIV pozitiv, që marrin kujdes dhe mbështetje në shërbimin e Klinikës Ambulatore pranë Klinikës së Sëmundjeve Infektive në QSUT “Nënë Tereza” Tiranë, kanë kërkuar që të merret në konsideratë sigurimi i vaksinimit për 700 persona HIV pozitiv.

“Për ta bërë të aksesueshëm për të gjithë komunitetin e PJHIV vaksinimin për Covid-19, ne sugjeruam që, bazuar në protokollet e miratuara të vaksinimit nga MShMS, të shikohet mundësia e ofrimit të vaksinimit pranë Klinikës Ambulatore në QSUT, për shkak të specifikimit që ky grupim pacientësh ka, si dhe për të ruajtur anonimatin dhe konfidencialitetin”, tha Tase.

Ajo pohoi se kjo kërkesë është shqyrtuar dhe është marrë menjëherë në konsideratë nga ana e ISHP-së.

Në një komunikim me shefen e Departamentit të ISHP-së, Silva Bino, për Albanian Post ajo deklaroi se “kërkesa e shoqatës u mor në konsideratë dhe, duke qenë se po kalojmë në mbulimin me vaksinim për Covid-19 të grupeve të pacienteve me sëmundje kronike, u vendos edhe mbulimi me vaksinim për PJHIV”.

Ajo garantoi se do të procedohet me vaksinimin e dozave Pfizer BioNTech të të gjithë personave HIV pozitiv, të cilët ndodhen në terapi me antiviralë dhe që trajtohen pranë shërbimit të Klinikës Ambulatore në QSUT.

Studimi anglez mbi pacientët HIV pozitiv dhe AstraZeneca

Përgjigje të ngjashme imune ndaj vaksinës Oxford/AstraZeneca COVID u raportuan te pjesëmarrësit me HIV pozitiv dhe HIV negativ.

Të martën e 20 prillit, në Mbretërinë e Bashkuar një letër raportoi rezultatet e para gjithëpërfshirëse te njerëzit HIV pozitiv si përgjigje të qelizave T, ashtu edhe të qelizave B ndaj vaksinës Oxford/AstraZeneca.

Studimi, i botuar paraprakisht në faqen e internetit të Lancet SSRN, nuk raporton ndonjë ndryshim të rëndësishëm në përgjigjet imune dhe të qelizave të ndërmjetësuara te njerëzit HIV pozitiv në ART me një ngarkesë virale të pazbulueshme, krahasuar me një grup kontrolli negativ të HIV në të njëjtën fazë 2/3 studim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore