Libra

Mësim në shqip për fëmijët arbëreshë në Kroaci


Arbëreshët janë një prej komuniteteve më të veçantë dhe më origjinalë, të cilët ruajnë edhe sot traditat, gjuhën dhe kulturën e të parëve të tyre. Edhe pse është shpallur si një gjuhë, që po shkon drejt zhdukjes, arbëreshët e Kroacisë po bëjnë çmos që ta mbajnë atë gjallë ndër breza.

Ministria e Arsimit në Kroaci ka miratuar futjen e lëndës së “Gjuhës dhe Kulturës shqipe” në shkollën e lokalitetit Arbanas në Zarë dhe për realizimin e lëndës janë dërguar Abetaret dhe tekstet e tjera nga Qendra e Botimeve të Diasporës pranë Ministrisë së Shtetit për Diasporën.

Profesoresha, Maksimiljana Barançiç, është shumë e njohur dhe e vlerësuar në rrethin e arbëreshëve të Kroacisë, sepse ka dhënë një kontribut të madh për transmetimin e kulturës e gjuhës ndër breza. Para disa javësh ajo botoi “Fjalorin Kroatish-Arbënisht të shoqëruar me gramatikë”, për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë atyre që duan të mësojnë gjuhën e të parëve.

Ndër vite nuk ka pasur fonde aq sa duhet për ruajtjen e gjuhës arbëreshe, e cila sa më shumë kalon koha aq më shumë po humbet. Nga vrojtimet që janë bërë nga media të ndryshme është vënë re se kjo gjuhë flitet ende nga moshat e treta, por shumë pak nga të rinjtë e fëmijët, që më së shumti përpiqen ta ruajnë kulturën përmes këngëve e valleve tradicionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore