Lajme

Arabi Saudite-UAE: Pavarësisht trazirave, qëllimet gjeopolitike mbeten të palëkundura


Aleanca më kuptimplotë e Lindjes së Mesme midis Emirateve të Bashkuara Arabe (UAE) dhe Arabisë Saudite aktualisht po testohet nga aspiratat ekonomike, megjithatë, të dy palët vazhdojnë të ndajnë axhendat gjeopolitike.

Marrëdhënia midis UAE dhe Arabisë Saudite nuk bazohet thjesht në miqësinë e sundimtarëve të tyre përkatës, por edhe në një aleancë afatgjatë që i ka mbijetuar krizave të ndryshme gjatë viteve.

“Tradicionalisht, Arabia Saudite dhe UAE ndajnë interesa të ngjashëm gjeopolitikë dhe të politikës së jashtme”, tregon “Al Jazeera”.

Gjatë kryengritjeve të vitit 2011 (Pranvera Arabe), asnjëra prej tyre nuk favorizoi lëvizjet revolucionare në të gjithë rajonin.

Ato gjithashtu e perceptojnë Iranin si një kërcënim ndaj monarkizmit tradicional dhe regjimeve sunite në rajon dhe të dyja kanë pasur marrëdhënie të tensionuara me Turqinë.

Të dy palët mbajtёn qëndrime tё ngjashme për çështje tё tilla si lufta në Jemen, lufta Siriane dhe normalizimi me Izraelin.

Në vitet e fundit, megjithatë, partneriteti gradualisht është kthyer në një garë.

“Mosmarrëveshja e fundit e naftës është një simptomë e fundit e thyerjes”, tha njё analiste pёr “Al Jazeera-n”.

Riyadh-i vendosi nё shkurt tё kёtij viti tё jepte kontrata shtetërore për kompanitë e vendosura në mbretëri. Vendim qё sfidoi rolin e Dubait si qendёr financiare e rajonit.

Konkurrenca për investime

Mosmarrëveshjet mbi aspiratat ekonomike ka të ngjarë të vazhdojnë të luajnë një rol kryesor në agjendat e tyre përkatëse.

Duke pasur parasysh qëllimet e tyre të ngjashme ekonomike, Arabia Saudite dhe UAE mund të përplasen ndërsa përpiqen të diversifikojnë ekonomitë e tyre larg hidrokarbureve duke zhvilluar sektorë të ngjashëm të tilla si turizmi, shërbimet financiare dhe teknologjia, duke konkurruar kështu për ekspertizë dhe investime.

Këto zhvillime shënojnë një ndryshim të rëndësishëm, duke marrë parasysh sundimtarin de facto të Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman dhe Mohamed bin Zayed të Emirateve tё cilёt vepruan si dyshja e re e udhëheqjes së Lindjes së Mesme.

“Shkaku i përçarjes aktuale, megjithatë, është më i thellë sesa thjesht ekonomia”, thonë analistët.

Në dy vitet e fundit, marrёdhёnia e dy sundimtarёve është çarë gjithnjë e më shumë, nё njё kohё kur mё parё të dy hynë në luftë kundër milicisë Houthi të lidhur me Iranin në Jemen dhe lobuan në Shtetet e Bashkuara(ShBa) kundër marrëveshjes bërthamore të Iranit.

Megjithatё, UAE pushoi luftën e saj kundër rebelëve Houthi në veri të Jemenit në verën e vitit 2019 dhe u përqendrua vetëm në mbështetjen e separatistëve në jug.

Nё thelb Abu Dhabi braktisi Arabinë Saudite, frika më e madhe e së cilës mbetet shteti i Houthi-t në kufirin e tij jugor.

Në veçanti dikush dëshmoi në Jemen, se sa shpejt partneriteti i tyre u shndërrua në konkurrencë kur UAE kreu sulme ajrore kundër forcave qeveritare në Jemenin jugor për të mbështetur aleatët e tyre separatistë jugorë.

Investuar fuqimisht

Në gusht të vitit 2020, UAE normalizuan marrëdhëniet e tyre me Izraelin, duke minuar në thelb ofertën e paqes Saudite për konfliktin në Lindjen e Mesme – njohjen e Izraelit në këmbim të një shteti palestinez.

Së fundmi përçarja Saudite-UAE u përkeqësua edhe më shumë kur mbretëria vendosi të përjashtonte importet nga “zonat e lira”, ose ato të lidhura me Izraelin, nga një marrëveshje tarifore preferenciale me vendet fqinje arabe të Gjirit.

Në thelb, sauditët kanë ndryshuar ligjet për të siguruar që mallrat e prodhuara nga kompanitë izraelite në Emiratet të mos përfitojnë nga marrëveshjet tarifore preferenciale që mbretëria ka me UAE.

Si do tё zhvillohen marrëdhëniet midis dy fuqive të Gjirit

“Ajo që ne shohim tani është më shumë një kthim në normën e marrëdhënieve jo vetëm Saudite-Emirati, por tё tё gjitha shteteve tё Gjirit duke ndërvepruar sё bashku”, tregon analistja pёr “Al Jazeera-n”.

Tё gjitha shtetet e Këshillit tё Bashkëpunimit të Gjirit(GCC) kërkojnë të menaxhojnë marrëdhëniet komplekse me Riyadh-in dhe të vendosin mjete të shumta për të ruajtur një shkallë të pavarësisë së veprimit.

Arabia Saudite është një aktor dominant, por asnjë nga pesë vendet e tjera anëtare të GCC nuk mund të përballojë që Riyadh-i të bёhet shumë mbizotërues.

Ndërsa ngjarjet e javëve të fundit, nuk janё domosdoshmёrisht tё pakapёrcyeshme.

Shqetësimet thelbësore të të dy palëve, domethënë frenimi i Iranit, kundërveprimi ndaj ndikimit të Vëllazërisë Myslimane, ballafaqimi i kërcënimeve “terroriste” dhe bashkëpunimi për të ruajtur sundimin dinastik në rajon, mbeten saktësisht të njëjta.

Divergjenca në një varg politikash midis Abu Dhabi-t dhe Riyadh-it i ka rrënjët e saj në mjedisin ndërkombëtar, veçanërisht ardhjen e administratës së Biden-it dhe në dinamikën e zhvillimit brenda rajonit, të cilat shihen ndryshe nga udhëheqёsit e Riyadh-it dhe Abu Dhabi-t.

Ndërsa të dy mbeten mosbesues ndaj regjimit iranian, Riyadh-i e ka gjykuar si të nevojshme, ashtu edhe të realizueshme, të përcaktojë një modus vivendi me Teheranin, ndërsa për Abu Dhabi-n kërcënimi më i rëndësishëm është gjithmonë Vëllazëria Myslimane dhe ata që janë në linjë ose simpatizues të tij.

Tё detyruar të shkojnë së bashku

Pёr tё dy vendet ekziston pasiguria e vazhdueshme në lidhje me fqinjin, Qatar-in.

Sauditёt e gjykuan bojkotin e Qatar-it një dështim qё nuk ia vlente të vazhdonte përballë kundërshtimit të SHBA-ve.

Princi Mohammed bin Zayed i UAE ka qenë më rezistent nё qëndrimin e tij, por mё pas u detyrua të bashkohej, veçanërisht nën mosmiratimin e ShBA-ve.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja, lufta në Jemen dhe ristrukturimi strategjik i UAE-ve luajnë gjithashtu një faktor të rëndësishëm.

Ndryshimet në politikën ndaj Iranit kanë qenë një shkak dhe jo një simptomë e divergjencës në zhvillim, midis Riyadh-it dhe Abu Dhabi-t.

Përpjekjet Saudite për të arritur një modus vivendi me Iranin do të vazhdojnë, dhe Abu Dhabi, gjithashtu, do të vazhdojë të shikojë për të arritur një marrëveshje pragmatike me Teheranin.

Pёr sa i përket efektit të fërkimit aktual në luftën në Jemen pak ndryshime shihen tё lëvizin përpara.

Ndёrsa pёr Qatar-in, çështja e pajtimit nuk do të ndryshojë nga ajo e divergjencës së hershme midis Riyadh-it dhe Abu Dhabi-t që nga fillimi i vitit 2021.

Marrë dhe përshtatur për Albanian Post nga Al Jazeera

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore