Pajisje

Apple-i rendit produktet që paraqesin rrezik për stimuluesit kardiakë


Kompania amerikane e teknologjisë, Apple, ka renditur produktet që duhet të mbahen në një “distancë të sigurt” nga pajisjet mjekësore si stimuluesit kardiakë dhe defibrilatorët e implantuar.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se lista e bërë nga Apple-i përfshin modele si iPhone 12, Apple Watch dhe MacBook Pro.

Kjo lëvizje e kompanisë ka ardhur pasi shumë pajisje elektronike të konsumatorëve përmbajnë përbërës, të tilla si magneti, të cilat mund të ndërhyjnë në pajisjet mjekësore.

Për sa i përket njoftimit, ai paralajmëron rreziqe nga përbërësit në disa nga produktet e kompanisë teknologjike.

“Në kushte të caktuara, magneti dhe fushat elektromagnetike mund të ndërhyjnë në pajisjet mjekësore”, ka pohuar Apple-i.

Si shembull, kompania ka vënë në dukje se “stimuluesit kardiakë dhe defibrilatorët e implantuar mund të përmbajnë sensorë që u përgjigjen magneteve dhe radiove kur janë në kontakt të ngushtë”.

Në rastin e defibrilatorëve të implantuar, ata dërgojnë impulse elektrike për të rregulluar ritmet anormale të zemrës.

Apple-i ka pranuar se produktet e renditura duhet të mbahen më shumë se 15 centimetra larg pajisjeve mjekësore dhe dyfishi i asaj distance nëse po karikohen pa tel.

Kompania amerikane nuk është e vetmja që ka bërë një njoftim të tillë. Edhe një numër prodhuesish të tjerë si Samsung-u dhe Huawei, kanë lëshuar udhëzime të ngjashme për disa nga produktet e tyre.

Në fillim të këtij muaji, Apple-i kishte deklaruar se modelet e iPhone 12 “nuk pritej të paraqisnin një rrezik më të madh të ndërhyrjeve magnetike në pajisjet mjekësore” sesa iPhone-ët e tjerë.

Magnet të fortë

Faqja në internet që vuri në dukje listën e re, MacRumours, nxori në pah hulumtimet që sugjerojnë se iPhone 12 mund të ndërhyjë në pajisjet e implantuara.

BBC shkruan se hulumtimi i botuar në Journal of the American Heart Association ka zbuluar se “teknologjia iPhone 12 Pro Max MagSafe e Apple-it mund të shkaktojë ndërhyrje në magnet”, dhe si pasojë kishte potencialin “të frenojë terapinë e shpëtimit të jetës”.

Kjo pasi teknologjia MagSafe mundëson karikim të shpejtë pa tel.

Hetuesi kryesor, doktor Michael Wu, ka shkruar në një njoftim për shtyp se ata ishin të befasuar nga forca e magneteve të iPhone 12.

“Në përgjithësi, një magnet mund të ndryshojë kohën e një stimuluesi kardiak ose të çaktivizojë funksionet shpëtuese të një defibrilatori dhe ky hulumtim tregon urgjencën që të gjithë të jenë të vetëdijshëm se pajisjet elektronike me magnet mund të ndërhyjnë në pajisjet elektronike të implantueshme kardiake”, ka thënë ai.

Çështja e stimuluesve kardiak

Marie Moe, një konsulente e sigurisë kompjuterike për Mnemonic, e cila disponon vetë një stimulues kardiak dhe studion teknologjinë e tyre, ka thënë për BBC se nuk ishte e shqetësuar.

“Këto pajisje Apple në përgjithësi nuk lëshojnë fusha të mëdha magnetike, ndryshe nga makineritë e rënda, altoparlantët e mëdhenj të koncerteve ose pajisjet e saldimit që çdokush me një stimulues kardiak duhet të shqetësohet më shumë për t’u afruar pranë tyre”, ka sqaruar ajo.

Moe ka vijuar se fuqitë e gjetura në iPhone 12 mund të bënin që stimuluesi kardiak të kalonte në “një lloj mënyre sigurie ku ritmi është konstant”, por do të kthehej përsëri pasi pajisja të hiqej.

Një infermiere e vjetër e zemrës në Fondacionin Britanik të Zemrës, Jo Whitmore, i ka bërë jehonë ndjenjës që pacientët nuk duhet të shqetësohen nëse mbajnë pajisjet në një distancë të sigurt.

Ajo ka thënë se “është krejt në rregull të përdorësh një smartphone kur ke një stimulues kardiak dhe ata janë të krijuar për t’u kthyer në cilësimet normale sapo magneti të largohet”.

Whitmore ka vijuar se pacientët e shqetësuar duhet të kontrollojnë udhëzimet e pajisjes ose të flasin me prodhuesin. Gjithashtu mund të kontaktojnë mjekun ose klinikën e zemrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore