Lajme

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, Mandl: Hap i rëndësishëm në kohën e duhur


Lukas Mandl

Për eurodeputetin austriak, Lukas Mandl, nënshkrimi i aplikimit për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian, nga krerët e institucioneve të Kosovës, është një hap i rëndësishëm në kohën e duhur, sidomos pas ndryshimit të paradigmës politike pas agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Sipas Mandl, Kosova si shtet ka dëshmuar që i përket Evropës, pasi qytetarët e saj jetojnë vlerat e BE-së.

“Bota e lirë duhet të lëvizë së bashku si kurrë më parë kundër të gjitha llojeve të ideologjive të urrejtjes dhe formimit të tyre në sisteme autoritare”.

“Të punojmë që institucionet e sotme të BE-së të kenë sukses të ndjekin frymën vizionare dhe lidershipin e liderëve të gjeneratave të mëparshme dhe gjithashtu t’i hapin rrugën Republikës së Kosovës për anëtarësim në BE”, ka shtuar Mandl.

Ndryshe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti kanë nënshkruar të mërkurën aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Glauk Konjufca, Vjosa Osmani, Albin Kurti

Çfarë duhet të bëjë Kosova për t’u konsideruar për anëtar në BE?

Para se gjithash, normalizimin e raporteve me Serbinë, diçka që zyrtarëve të Kosovës u ritheksohet sa herë të udhëtojnë për në Bruksel. Kjo është çështja më problematike. Pjesë tjetër e rëndësishme është bindja e pesë shteteve anëtare nga 27 gjithsejtë që nuk e njohin Kosovën shtet të pavarur. Madje edhe BE-ja ka status neutral, duke iu referuar Kosovës me fusnotë.

Gjithsesi, edhe sikur këto probleme të mos ekzistonin fare, datë e caktuar nuk ekziston për asnjë kandidat, pasi procesi në fjalë përparon varësisht nga aftësia e kandidatit/shtetit për t’i përmbyllur kapitujt të kërkuara nga Unioni.

Procesi në vetvete është tejet kompleks dhe me vite i gjatë, sidomos për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të cilin BE-ja parasheh një proces të veçantë.

Marrëdhëniet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor zhvillohen brenda një kuadri të veçantë të njohur si procesi i Stabilizim-Asocimit – marrëveshja e vetme e Kosovës me BE-në – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në Union.

Aplikimi për anëtarësim në BE fillon zyrtarisht kur vendi aspirant dorëzon aplikimin për anëtarësim Presidencës së BE-së.

Komisioni Evropian ofron një opinion formal Avis për vendin i cili aplikon, duke rekomanduar dhënien ose jo të statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave.

Pasi Këshilli, në unanimitet bie dakord mbi një mandat negociues, bisedimet midis vendit kandidatit dhe të gjitha shteteve anëtare të BE-së mund të hapen formalisht.

Por, para se të fillojnë negociatat, kandidati në këtë rast shteti aplikues duhet të plotësojë kriteret e aderimit në BE.

“Kriteret e Kopenhagenit”, kërkojnë që vendi kandidat të ketë institucione të qëndrueshme që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, respektimin dhe mbrojtjen e minoriteteve.

Një ekonomi tregu funksionale, si dhe aftësinë për të përballuar presionin e konkurrencës dhe forcat e tregut që veprojnë brenda Bashkimit Evropian.

Aftësinë për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit, në mënyrë të veçantë objektivat politike, ekonomik dhe të bashkimit monetar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore